Studiues nga e gjithë bota janë munduar këtë vit për t’i dhënë përgjigje pyetjeve që kanë mbetur pa zgjidhje për dekada, madje edhe shekuj. Zbulimet e reja ofrojnë mënyra të reja për të kuptuar të kaluarën dhe për të rishikuar ngjarje historike të njohura.
Më poshtë CNN ka renditur disa nga zbulimet më mbresëlënëse të vitit 2025 që ndihmuan në zgjidhjen e mistereve historike.
Një mumie misterioze
Një rrjedhje uji në një kriptë çoi në zbulimin e identitetit të një trupi jashtëzakonisht të ruajtur, i cili ndodhej në një kishë të largët në një fshat austriak që nga vitet 1700.
Me lëkurë dhe inde pothuajse të paprekura, trupi i mumifikuar – që mendohej se i përkiste një kleriku të shekullit XVIII – kishte nxitur spekulime për fuqi shëruese dhe madje edhe thashetheme për helmim.
Gjatë punimeve restauruese për të riparuar dëmet nga uji, trupi u zhvendos, duke u dhënë studiuesve mundësinë për të kryer skanime, analiza të kockave dhe indeve. Ata zbuluan se bëhej fjalë për Franz Xaver Sidler von Rosenegg, një aristokrat që ishte murg përpara se të bëhej famullitar në St. Thomas am Blasenstein, Austri.
Ekipi zbuloi jo vetëm një metodë të panjohur më parë balsamimi që shpjegon gjendjen e tharë të trupit, por edhe propozoi një hipotezë të re për shkakun e vdekjes dhe zgjidhi misterin e një objekti qelqi të gjetur brenda trupit.
Varka nga askundi
Varka Hjortspring, e ekspozuar në Muzeun Kombëtar të Danimarkës në Kopenhagë, ka qenë prej kohësh një enigmë për studiuesit.
E zbuluar në vitet 1920 në një moçal në ishullin danez Als, më shumë se 2,000 vjet pasi ishte fundosur, varka përmbante armë, duke sugjeruar se transportonte luftëtarë me qëllim sulmi ndaj ishullit.
Deri së fundmi, nuk kishte asnjë tregues për origjinën e saj apo për njerëzit që e përdorën. Një analizë e re e materialeve të varkës tregon se ajo kishte udhëtuar shumë më larg nga sa mendohej, duke sugjeruar se sulmi ishte i planifikuar me kujdes.
Gjithashtu, në mbetje u gjet një gjurmë e pjesshme gishti njerëzor – një zbulim jashtëzakonisht i rrallë për atë periudhë. Sipas studiuesit kryesor Mikael Fauvelle nga Universiteti i Lundit në Suedi, kjo mund të përfaqësojë një lidhje të drejtpërdrejtë me një anëtar të ekuipazhit.
Në lidhje me anijet historike, një analizë tjetër ka treguar se fundosja e anijes së eksploratorit Ernest Shackleton, HMS Endurance, nuk u shkaktua nga timoni i thyer, por nga dobësi strukturore për të cilat Shackleton ishte në dijeni përpara ekspeditës së tij në vitin 1915.
Keqidentifikimi nga Epoka e Akullit
Mbetjet e ruajtura jashtëzakonisht mirë të dy këlyshëve 14,000-vjeçarë u zbuluan në Siberinë veriore në vitet 2011 dhe 2015. Të njohur si “Këlyshët e Tumatit”, ata mendohej se ishin qen të hershëm të zbutur ose ujq që jetonin pranë njerëzve.
Megjithatë, analiza të reja gjenetike dhe kimike tregojnë se ata ishin thjesht këlyshë ujqërish që nuk kishin pasur asnjë kontakt me njerëzit. Ky zbulim ndihmon në kuptimin më të thellë të procesit kompleks të zbutjes së qenve.
Një ushtri fatkeqe
Kur Napoleon Bonaparti pushtoi Rusinë në vitin 1812, ai udhëhoqi një ushtri prej mbi gjysmë milioni ushtarësh. Vetëm një pjesë e vogël u kthye gjallë në Francë gjashtë muaj më vonë.
Humbjet masive i atribuoheshin luftës, urisë, të ftohtit dhe tifos, por analiza të ADN-së nga dhëmbët e ushtarëve të rënë kanë zbuluar praninë e baktereve të tjera vdekjeprurëse, si Salmonella enterica dhe Borrelia recurrentis.
Zbulime të tjera
Gjatë këtij viti, shkencëtarët gjithashtu:
• Identifikuan më në fund vullkanin misterioz që shkaktoi një shpërthim masiv në vitin 1831, duke ulur temperaturat globale.
• Zbuluan se patatja moderne e ka origjinën nga një ndërthurje e rastësishme që përfshinte një domate të egër miliona vjet më parë.
• Hodhi dritë mbi poemën e humbur “Kënga e Wade”, duke treguar se ajo nuk ishte e mbushur me qenie mbinatyrore, siç mendohej më parë.