Lifestyle

Mikroplastika gjendet thellë në eshtrat e njeriut, paralajmërojnë shkencëtarët

Eshtrat

Eshtrat

Mikroplastikat janë bërë kaq të përhapura sa tashmë mund edhe të pihen, njerëzit i hanë dhe i thithim çdo ditë. Si pasojë, ato janë zbuluar në jashtëqitje, në placenta, në organet riprodhuese dhe madje edhe në tru.

Tani, këto grimca shumë të vogla, që vijnë nga lëndët djegëse fosile, janë gjetur edhe thellë në eshtrat e njeriut, ka raportuar Science Alert.

Rishikimi i 62 studimeve ka treguar se mikroplastikat dhe nanoplastikat ndikojnë në shëndetin e eshtrave në disa mënyra.

“Një pjesë mjaft e madhe e studimit ka sugjeruar se mikrolastikat mund të depërtojnë thellë në indet e eshtrave, deri në palcë, dhe potencialisht shkaktojnë probleme në metabolizëm”, ka thënë shkencëtari mjekësor Rodrigo Bueno de Oliveira nga Universiteti Shtetëror i Kampinas në Brazil.

Studime te njerëzit kanë zbuluar se mbetjet plastike grumbullohen në indet e eshtrave përmes gjakut, pas gëlltitjes. Eksperimentet te kafshët tregojnë se ato mund të ngadalësojnë rritjen e eshtrave.

Shkencëtarët kanë vërejtur se dëmtimet në osteoklaste, qelizat që mbështesin rritjen dhe riparimin e eshtrave, mund të dobësojnë strukturën e tyre, duke i bërë më të prekshme nga deformimet dhe frakturat.

“Studimet e thella të indeve të eshtrave kanë treguar se mikroplastikat dëmtojnë qëndrueshmërinë e qelizave, përshpejtojnë plakjen, dhe rrisin diferencimin e tyre, gjë që promovon inflamacionin”, ka thënë Bueno de Oliviera.

Edhe pse këto efekte nuk janë konfirmuar plotësisht te njerëzit, ekspertët paralajmërojnë se rritja globale e osteoporozës, sëmundje që i bën eshtrat më të dobëta, mund të lidhet edhe me praninë e mikroplastikave, përveç faktorëve të njohur si konsumi i alkoolit apo plakja e popullsisë.

Shkencëtarët kanë theksuar se rreziku është në rritje, pasi çdo vit prodhohen mbi 400 milionë tonë plastikë, duke gjeneruar rreth 1.8 miliardë tonë gazra serrë.

Prej vitesh, ata po kërkojnë më shumë burime për të hetuar ndikimin që këta ndotës kanë në trupin e njeriut.

Ndërkohë, ekspozimi ndaj mikroplastikave mund të ulet duke filtruar ujin e pijshëm dhe duke kufizuar përdorimin e produkteve plastike, si rrobat sintetike dhe shishet plastike.

Ky studim është publikuar në Osteoporosis International.