Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Mbyllja e kapakut të guaskës nuk ndal shpërndarjen e viruseve

Mbyllja e kapakut të guaskës kur lëshohet uji i pastrimit, nuk shpëton ndotjen e ambientit përreth nga viruset, ka konkluduar një studim i ri.

Shumë njerëz ulin kapakun e guaskës me besimin se po ndalin shpërndarjen e mikrobeve. Megjithatë, hulumtuesit nga Universiteti i Arizonës dhe “Reckit Benckiser” (kompani britanike që shet produkte higjienike) kanë konkluduar se kjo nuk qëndron dhe se mënyra e vetme për të parandaluar përhapjen e patogjenëve viralë është dezinfektimi i tualetit dhe furça e pastrimit.

Studimet e mëhershme kishin treguar se kapaku i mbyllur mund ta zbusë përhapjen e baktereve gjatë shpëlarjes së guaskës, por hulumtimi i fundit është marrë me grimcat më të vogla.

Hulumtuesit kanë testuar për grimca të tilla në tualetet publike dhe në ato të zyrave. Ata vendosën në guaska virus që s’ishte në gjendje t’i infektojë njerëzit. Pasi lëshuan ujin pritën një minutë dhe më pas përdorën sfungjer. Ata nuk gjetën dallim në sasinë e virusit që ishte shpërndarë nëpër sipërfaqe, pavarësisht nëse kapaku ishte lartë apo i ulur. Megjithatë pastrimi me dezinfektues dhe furçë reduktoi ndotjen virale në tualet me më shumë se 99.99 për qind.

“Rezultatet tregojnë se mbyllja e kapakut të guaskës s’ka asnjë ndikim domethënës në parandalimin e përhapjes së grimcave virusale. Studimi ynë me këtë thekson rëndësinë e dezinfektimit të rregullt të tualeteve për të reduktuar ndotjen dhe për ta parandaluar përhapjen e viruseve”, ka thënë Charles Gerba, autor i studimit dhe profesor i virologjisë në Universitetin e Arizonas.

Hulumtimi u publikua në “American Journal of Infection Control”.

Artikuj të ngjashëm