Një raport i ri i Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA) tregon se normat e lindshmërisë në shumë vende të botës po bien në mënyrë të paprecedentë, duke krijuar situatë shqetësuese për të ardhmen demografike globale, shkruan BBC.
Sipas raportit, qindra miliona njerëz nuk po arrijnë të kenë numrin e dëshiruar të fëmijëve, për shkak të kostove të larta të prindërimit dhe mungesës së një partneri të përshtatshëm. Kjo dukuri po përhapet në mënyrë të gjerë në vende nga Koreja e Jugut dhe Italia, deri në Indi dhe Afrikën e Jugut.
Në një anketë që përfshiu 14 mijë persona në 14 vende, një në pesë njerëz deklaruan se nuk kanë pasur ose nuk presin të kenë numrin e dëshiruar të fëmijëve. Vendet e përfshira në studim përbëjnë një të tretën e popullsisë globale.
Situata është e njohur edhe për familje si ajo e Namrata Nangia nga Mumbai, e cila përballon vështirësi financiare për shkak të kostove të larta për shkollën, kurset jashtëshkollore dhe shpenzimet e tjera për fëmijën.
Raporti i UNFPA nxjerr në pah nevojën për politika dhe masa që mbështesin familjet dhe lehtësojnë barrën financiare të prindërimit, në mënyrë që të ndalet kjo rënie e madhe e normave të lindshmërisë.