Lifestyle

Kivi ndihmon në lehtësimin e kapsllëkut, sipas udhëzimeve të reja

Kivi

Kivi

Të hash disa fruta kivi në ditë mund të ndihmojë në lehtësimin e kapsllëkut dhe është mënyrë më e mirë për të filluar trajtimin sesa përpjekja për dietë me shumë fibra, thuhet në udhëzimet e reja të hartuara nga studiuesit e Kolegjit Mbretëror të Londrës, raporton BBC.

Sipas këtyre udhëzimeve, uji me përmbajtje të lartë mineralesh është më i dobishëm për kapsllëkun sesa uji i rubinetit, ndërsa suplementet me oksid magnezi ndihmojnë në përmirësimin e simptomave.

“Kapsllëku është një problem që ndikon rreth një në dhjetë persona dhe mund të ketë ndikim serioz në cilësinë e jetës”, ka shpjeguar doktoresha Eirini Dimidi, autore kryesore e studimit dhe pedagoge në shkencat ushqimore në Kolegjin Mbretëror të Londrës.

Ajo thotë se në vend që njerëzit të shqetësohen për probiotikët më të rinj në treg apo të mbushin dietën me fibra nga çdo burim, më mirë të fokusohen në fruta dhe pije të duhura.

“Rekomandojmë të hani dy ose tre fruta kivi gjatë ditës ose 8-10 kumbulla të thata për ta përmirësuar gjendjen”, ka theksuar Dimidi.

Sa i përket pyetjes nëse duhet ngrënë kivi me apo pa lëkurë, ajo sqaron: “Edhe pa lëkurë është shumë i mirë dhe përmban fibra, por nuk ka asnjë dëm nëse e hani edhe me lëkurë”.

Fibrat në kivi ndihmojnë zorrën të tresë më mirë ushqimin.

“Kivi gjithashtu shton përmbajtjen e ujit në zorrë, gjë që e bën jashtëqitjen më të butë”, ka shtuar ajo.

Përveç kivit, edhe 8-10 kumbulla të thata në ditë ose pak bukë thekre mund të kenë efekt të ngjashëm.

Dimidi ka theksuar gjithashtu se uji mineral “është më i mirë se uji i rubinetit” për personat që vuajnë nga kapsllëku, sepse përmban më shumë magnez, një mineral me efekt laksativ. Për këtë arsye, suplementet me oksid magnezi janë treguar shumë efektive në lehtësimin e simptomave si dhimbja në bark, fryrja dhe vështirësia në jashtëqitje.

Sa i përket probiotikëve, udhëzimet tregojnë se disa lloje mund të ndihmojnë, por mungojnë studimet e plota për shumë lloje të ndryshme bakteresh.

Udhëzimet e reja, të publikuara në “Journal of Human Nutrition & Dietetics”, janë bazuar në analizën e 75 studimeve klinike dhe ofrojnë qasje të re për trajtimin e kapsllëkut përmes ushqimit.

“Këto udhëzime përfaqësojnë një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të profesionistëve të shëndetit dhe pacientëve për të menaxhuar kapsllëkun përmes dietës”, ka thënë profesori Kevin Whelan, bashkautor i studimit dhe profesor i dietetikës në Kolegjin Mbretëror të Londrës.

Ai ka shtuar se njerëzit që vuajnë nga kapsllëku “tani mund të kenë qasje në këshilla të përditësuara që përmirësojnë simptomat, mirëqenien dhe cilësinë e jetës së tyre”.

Shoqata Britanike e Dietologjisë, e cila financoi projektin, e quajti këtë një “burim të shkëlqyer” për mjekët, infermierët dhe dietologët, duke e cilësuar si një qasje më moderne dhe të bazuar në prova shkencore për menaxhimin e kapsllëkut kronik.