Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Kimikate që ndikojnë në hormone u gjetën në qumështin e gjirit të nënave amerikane

Qumështi i gjirit

Një studim i ri ka zbuluar se mostrat e qumështit të gjirit nga nënat në Seattle të SHBA-së përmbanin nivele shqetësuese të disa kimikateve që mund të ndikojnë në hormonet dhe zhvillimin e foshnjave, ka raportuar The Guardian.

Studiuesit gjetën substanca si BPA, BPS, melamina, acidi cianurik dhe triklosani në shumicën e mostrave të analizuara. Rreth 92 për qind e 50 mostrave të testuara ishin të kontaminuara me të paktën një nga këto kimikate.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas autorëve të studimit, këto substanca mund të ndërhyjnë në funksionimin normal të hormoneve, të cilat luajnë rol të rëndësishëm në zhvillimin e foshnjave gjatë muajve të parë të jetës.

“Ky është një shqetësim serioz sepse bëhet fjalë për grupin më të ndjeshëm ndaj efekteve shëndetësore, foshnjat dhe fëmijët, të cilët kalojnë faza të shpejta zhvillimi të kontrolluara nga sistemi hormonal”, ka thënë Ryan Babadi, një nga autorët kryesorë të studimit.

Studiuesit gjetën BPA në 74 për qind të mostrave, BPS në 78 për qind, triklosan në 62 për qind dhe melaminë në 92 për qind të tyre.

Këto kimikate përdoren gjerësisht në produkte të përditshme, përfshirë plastikën, paketimet ushqimore dhe disa produkte të kujdesit personal. Studime të mëparshme i kanë lidhur ato me probleme të zhvillimit, çrregullime hormonale, astmë, mbipeshë dhe probleme riprodhuese.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se ushqyerja me gji mbetet zgjedhja më e shëndetshme për foshnjat.

“Ushqyerja me gji vazhdon të jetë alternativa më ushqyese dhe zakonisht më e sigurt për foshnjat kur është e mundur”, ka thënë Babadi.

Ai ka shtuar se rezultatet tregojnë një problem më të gjerë shoqëror, pasi këto substanca përdoren gjerësisht në industri dhe është e vështirë për konsumatorët t’i shmangin plotësisht.

“Njerëzit nuk mund ta zgjidhin këtë problem vetëm përmes zgjedhjeve gjatë blerjeve”, ka thënë ai.

Autorët e studimit kërkojnë masa më të forta rregullatore për të kufizuar përdorimin e kimikateve potencialisht të dëmshme në produktet e konsumit dhe për të mbrojtur shëndetin e fëmijëve dhe të rriturve.