Lifestyle

Shkencëtarët konfirmojnë se mikroplastikë ka edhe në qumësht e djathë

Mikroplastika edhe në qumësht e djathë

Mikroplastika edhe në qumësht e djathë: Fotografi nga Getty

Një studim i ri nga Universiteti i Padovës në Itali ka zbuluar grimca plastike pothuajse në secilën mostër të produkteve të qumështit që u testua, me përqendrimet më të larta të gjetura te djathërat e vjetër.

Mikroplastikat tashmë janë bërë pjesë e përditshme e zinxhirit ushqimor në mbarë botën, ato gjenden në peshq, në çaje e madje edhe në perime të freskëta. Tani, sipas një studimi të botuar në revistën shkencore NPJ Science of Food, ato janë zbuluar edhe në qumësht, ka raportuar Food and Wine.

Studiuesit italianë analizuan 28 mostra të produkteve të ndryshme: qumësht të paketuar, 10 lloje djathi të freskët (më pak se një muaj që nga prodhimi) dhe 14 lloje djathi të vjetër (më shumë se katër muaj që nga prodhimi). Për të shmangur ndotjen gjatë procesit të testimit, analizat u zhvilluan në një “dhomë të pastër të klasit 7”, me enë qelqi të pastruara posaçërisht, në mënyrë që çdo mikroplastikë e gjetur të vinte vërtet nga vetë produkti.

Përmes një mikroskopi infra të kuq me fuqi të lartë, studiuesit identifikuan grimcat plastike në 26 nga 28 mostrat. Më shpesh u gjetën polietileni tereftalat (PET), plastika e njohur nga shishet e ujit dhe paketimet e ushqimit, si dhe polietileni dhe polipropileni, që përdoren gjerësisht në industrinë e ambalazhit ushqimor.

Rezultatet treguan se djathi përmban shumë më tepër mikroplastikë sesa qumështi.

-Djathërat e vjetër (ata që kanë më shumë se katër muaj që nga prodhimi) kishin mesatarisht 1,857 grimca për kilogram,

-Djathërat e freskët (ata që kanë më pak se një muaj që nga prodhimi) rreth 1,280 grimca për kilogram,

-Ndërsa qumështi përmbante afërsisht 350 grimca për një litër.

Sipas studiuesve, diferenca është e rëndësishme dhe lidhet me mënyrën e përpunimit. “Mikroplastikat shtesë mund të futen gjatë fazave shtesë të shtypjes dhe paketimit të djathit, që nga qeset e ushqimit për bagëtitë deri te mbështjellësit e produkteve në treg”, thuhet në studim.

Autorët kanë theksuar se studimi vetëm dokumentoi praninë e mikroplastikave, pa analizuar efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Megjithatë, studime të tjera po e lidhin gjithnjë e më shumë këtë ndotje me pasoja serioze shëndetësore.

Revista Food & Wine kujton një studim tjetër që ka treguar se mikroplastikat mund të grumbullohen në pllakat arteriale të pacientëve me sëmundje kardiovaskulare. Sipas autorëve të atij studimi, këto grimca “mund të shkaktojnë efekte toksikologjike kur hyjnë në trup përmes gëlltitjes, frymëmarrjes apo kontaktit me lëkurën”.

Ata shtuan se mikroplastikat mund të lidhen me “çrregullime të ritmit të zemrës, dëmtime të funksionit kardiak, fibroza të muskujve të zemrës dhe probleme me enët e gjakut”, përveç stresit oksidativ dhe inflamacionit të përgjithshëm.

Studime të tjera kanë gjetur mikroplastika në mushkëri, në gjak dhe në mëlçi, dhe disa shkencëtarë paralajmërojnë se ato mund të kontribuojnë në dëmtime të mëlçisë.

Ani pse është e pamundur të shmangim plotësisht mikroplastikat në mjedis, ekspertët këshillojnë disa hapa për të reduktuar ekspozimin:

-Përdorni më pak enë plastike në kuzhinë,

-Shmangni ngrohjen e ushqimit në plastikë,

-dhe zgjidhni produkte të freskëta të paketuara në qelq ose letër sa herë të jetë e mundur.

 “Këto zbulime nuk janë arsye për panik, por për vetëdijesim, sepse mikroplastikat po bëhen pjesë e pandashme e ushqimit tonë të përditshëm”, thuhet në raportin e studimit.