Doktori Kurt Hong, që është profesor në Universitetin e Kalifornisë Jugore, ka thënë se për të qëndruar i ri njeriu duhet të konsumojë sa më shumë fruta, perime, e peshk. Ai ka rekomanduar gjithashtu që ushqimi të gatuhet në shtëpi në mënyrë që të shmangen ushqimet e shumëpërpunuara.
Doktori ka dekada që studion lidhjen mes ushqimit dhe jetëgjatësisë. Ai ndihmon pacientët të shmangin sëmundje si diabeti i tipt 2 dhe kanceri, por njëkohësisht, praktikon atë që predikon edhe për vete.
“Gjithmonë i them gruas në shaka: E bëj edhe për arsye egoiste. Po kërkoj gjithmonë mënyra për të qëndruar i ri”, ka thënë Hong për Business Insider.
Hong është 52 vjeç dhe baba i tre fëmijëve, por thotë se ndiehet shumë më i ri se mosha që ka.
“Trupi mund të të thotë se je 52, por ti mund të sillesh dhe të ndihesh si 35-vjeçar, ose anasjelltas”, ka shpjeguar ai.
Ai ndjek një model të thjeshtë ushqimi, bazuar kryesisht në dietën mesdhetare, të cilën e përshkruan si çelësin për të jetuar më gjatë dhe më shëndetshëm.
1. Hani perime dhe fruta çdo ditë

“Këshilla ime numër një është: Hani frutat dhe perimet”, ka thënë Hong.
Ai thekson rëndësinë e fibrave që gjenden te bimët, të cilat ndihmojnë në uljen e kolesterolit, shëndetin e zemrës, mbrojtjen nga disa lloje kanceri dhe krijimin e një mikrobiome të shëndetshme në zorrë.
Një studim i vitit 2019 që ndoqi mbi 12,000 njerëz për 29 vjet, zbuloi se ata që hanin rreth 4-5 porcione bimësh në ditë dhe pak ose aspak mish të përpunuar, kishin 18-25 për qind më pak gjasa për të vdekur herët.
2. Konsumoni më shumë peshk, më pak mish të kuq

“Unë ha shumë peshk”, ka treguar Hong.
Ai preferon salmon të egër, ton albakor dhe halibut, të gatuar në furrë ose të zier, jo të skuqur. Peshku është i pasur me omega-3, që ndihmon në ruajtjen e shëndetit të trurit dhe ul rrezikun për Alzheimer dhe probleme mendore me kalimin e moshës.
“Edhe nëse nuk hani peshk çdo ditë, përpiquni ta konsumoni 2-3 herë në javë”, ka sugjeruar ai.
3. Mos e teproni me sasinë

Edhe nëse hani ushqime të shëndetshme, sasia ka rëndësi, paralajmëron mjeku.
“Mund të hash gjërat e duhura, por nëse ke peshë të tepërt, prapëseprapë ke inflamacion në trup që rrit rrezikun për sëmundje kronike”, ka thënë ai.
Hong përpiqet të ruajë ekuilibrin mes kalorive dhe përbërësve të dobishëm. Për shembull, mëngjesin mund ta fillojë me tre vezë të ziera, por konsumon vetëm të bardhat e dy prej tyre për të reduktuar kaloritë, pa humbur proteinën.
“Është çështje sasie dhe cilësie”, ka shtuar ai.
4. Gatuani në shtëpi për të shmangur ushqimet e shumëpërpunuara

Ushqimet e shumëpërpunuara janë të lehta për t’u gjetur dhe për t’u konsumuar, por sipas Hong, janë të lidhura me sëmundje të zemrës, diabet, kancer, depresion dhe vdekje të hershme.
“E kuptoj që është pothuajse e pamundur t’i shmangësh plotësisht, janë kudo. Por përpiqem të përgatis ushqimin vetë sa më shumë që mundem”, ka thënë ai.