Lifestyle

Infeksioni i veshit tek fëmijët mund ta ngadalësojë procesin e të folurit

Studimi i fundit sugjeron se infeksionet kronike të veshit kanë lidhshmëri me ngadalësimin e të folurit tek fëmijët, raporton “Fox News”.

Studimi, që është bërë në Universitetin e Floridas e që është publikuar në gazetën “Pediatric Otorhinolaryngology, gjatë muajit nëntor të vitit të kaluar, ka treguar rezultate të ngadalësimit të procesit të të folurit, pasi fëmijët të kenë ndonjë infeksion të veshit gjatë fëmijërisë së hershme.

Infeksionet e hershme të veshit kanë potencial të dëmtojnë të dëgjuarit pasi si pasojë e infeksionit mund të mblidhen lëngje prapa daulles së veshit.

Studiuesit kanë përcjellë procesin të folurit e të dëgjuarit tek 117 fëmijë që nga mosha pesë vjeç deri në 10 vjeç, duke përfshirë edhe ata që nuk kanë pasur infeksione kronike në vesh.

Fëmijët që kanë pasur disa herë infeksione të veshit para se t’i mbushnin tre vjet, patën vokabular më të ulët dhe vështirësi t’i identifikonin fjalë që kanë të njëjtin tingull.

Këta fëmijë gjithashtu patën vështirësi të detektonin tinguj, gjë që tregon se veshi ka problem me përçimin e sinjalit në tru.

“Infeksioni i veshit është aq i zakonshëm tek fëmijët dhe bebet sa që shpesh mund të shihet si i parrezikshëm”, ka thënë njëra nga autorët e studimit, Dr. Susan Nittrouer. “Nëse fëmija nuk dëgjon mjaftueshëm, gjë që mund të rezultojë në humbje të dëgjimit përkohësisht për shkak të infeksionit, do të thotë se zhvillimi i kanaleve të dëgjimit do të ketë vonim”, ka shtuar ajo.

Doktoresha gjithashtu ka bërë të ditur se problemi mund të rritet gjatë viteve të shkollimit, pasi fëmija aty prezantohet me gjuhë më konkrete kundrejt temave të ndryshme.