Dy studime që janë paraqitur në Kongresin Ndërkombëtar të Shoqërisë Evropiane të Frymëmarrjes, në Milano të Italisë, flasin për efektin që ka të jetuarit në qytet, në sistemin imunitar të fëmijëve.
Sipas studimit të parë fëmijët që rriten në qytete vuajnë nga më shumë infeksione respiratore sesa ata që rriten në fshatra.
Studimi i dytë zbuloi se jetesa në një shtëpi me lagështi ose afër trafikut të dendur, rrit rrezikun e infeksioneve në gjoks te fëmijët e vegjël. Sipas studimit ushqyerja me gji e zvogëlon këtë rrezik, shkruan TimesOfIndia.
Sipas këtyre studimeve fëmijët që jetojnë në zona urbane kanë rreth 17 infeksione respiratore para moshës tre vjeçare, ndërsa fëmijët që jetojnë në zona rurale kanë 15 infeksione të tilla deri në këtë moshë.
Në studimin e parë, i cili u bë në Danimarkë, morën pjesë 663 fëmijë bashkë me nënat, që nga shtatzënia e deri sa fëmijët mbushën 3 vjeç.
Studiuesit gjetën se jetesa në zonën urbane ndikon që fëmijët të preken nga infeksionet respiratore herët gjatë jetës.
"Gjetjet tona sugjerojnë se jetesa në zona urbane është një faktor rreziku për zhvillimin e infeksioneve në jetën e hershme, kur marrim parasysh disa faktorë të lidhur si ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit dhe fillimi i çerdheve e qëndrimit ditor. Është interesante se ndryshimet në gjakun e nënave shtatzëna dhe foshnjave të sapolindura, si dhe ndryshimet në sistemin imunitar të të sapolindurve, e shpjegojnë pjesërisht këtë", ka thënë fizikanti i universitetit e Kopenhages në Danimarkë, Nicklas Brustad.
Edhe
Infeksioni i veshit tek fëmijët mund ta ngadalësojë procesin e të folurit
Ndërsa studimi i dytë, që u bë në Britani të Madhe, dhe ku morën pjesë 1344 fëmijë, konstatoi se gjidhënia për më shumë se 6 muaj i mbron fëmijët nga sëmundjet respiratore, kurse rreziku nga këto sëmundje rritet atëherë kur fillojnë të shkojnë në çerdhe dhe qëndrime ditore.
Studiuesit zbuluan se fëmijët e vegjël që jetonin në shtëpi me lagështi të madhe, kishin dy herë më shumë gjasa të kishin nevojë për trajtim me një inhalator për të lehtësuar simptomat e frymëmarrjes dhe dy herë më shumë të ngjarë të kishin nevojë për trajtim me një inhalator me steroide.
Sipas studimit jetesa në një zonë me trafik të dendur rrit rrezikun e infeksioneve në gjoks ndërsa ekspozimi ndaj tymit të duhanit rriti rrezikun e kollitjes.
"Ky hulumtim jep disa prova të rëndësishme se si mund të ndihmojmë në reduktimin e infeksioneve në gjoks tek foshnjat dhe fëmijët e vegjël. Dobitë e gjidhënies janë të shumta dhe ne duhet të vazhdojmë të mbështesim nënat që duan t’i ushqejnë me qumësht gjiri foshnjat e tyre. Ne gjithashtu duhet të bëjmë çdo përpjekje për të reduktuar ekspozimin ndaj infeksioneve në çerdhe, për të mbajtur shtëpitë pa lagështi dhe myk, për të reduktuar duhanpirjen dhe për të ulur ndotjen e ajrit", ka theksuar doktorit Tom Ruffles, i cili ka prezantuar studimin e dytë. (Përgatiti: Vita Abrashi -Kajtazi)