Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Foshnjat në SHBA po humbin jetën nga gjakderdhja e brendshme si pasojë e mungesës së vitaminës K

Bebet e posalindura

Bebet e posalindura

Mjekët në SHBA po paralajmërojnë për një rritje shqetësuese të rasteve kur foshnjat po humbin jetën nga gjakderdhje të brendshme që mund të parandalohen lehtësisht, ka shkruar The New York Post.

Sipas një raporti të ProPublica, disa foshnja që në lindje duken plotësisht të shëndetshme, më vonë po zhvillojnë komplikime fatale. Një djalë 7-javësh nga Maryland pësoi papritur kriza, një foshnjë në Kentucky filloi të vjellë dhe u bë e plogësht, ndërsa një vajzë në Alabama ndalonte frymëmarrjen për disa sekonda. Të gjitha këto raste rezultuan tragjikisht me vdekje.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Mjekët thonë se këto raste mund të ishin parandaluar me një injeksion të vetëm të Vitaminës K që rekomandohet menjëherë pas lindjes.

Mungesa e vitaminës K mund të shkaktojë një gjendje të rrallë, por shumë të rrezikshme, të quajtur gjakderdhje e shkaktuar nga mungesa e Vitaminës K, e njohur si VKDB, që mund të çojë në gjakderdhje të brendshme, dëmtime në tru dhe vdekje.

Pediatrja Candice Foy ka shpjeguar se vitamina K është thelbësore kundër mpiksjes së gjakut te foshnjat.

“Foshnjat lindin me sasi shumë të kufizuar të faktorëve të mpiksjes së gjakut dhe ato konsumohen shumë shpejt. Vitamina K i ndihmon foshnjat të prodhojnë më shumë faktorë mpiksjeje për të parandaluar gjakderdhjet serioze”, ka thënë ajo.

Sipas ekspertëve, foshnjat nuk marrin mjaftueshëm vitaminë K nga nëna gjatë shtatzënisë, pasi ajo nuk kalon lehtë përmes placentës apo qumështit të gjirit.

Problemi bëhet edhe më serioz sepse foshnjat fillojnë të marrin më shumë vitaminë K vetëm kur nisin të ushqehen me ushqime si perimet me gjethe të gjelbra, rreth moshës 6 muajshe.

Mjekët paralajmërojnë se mungesa e vitaminës K rrit ndjeshëm rrezikun për gjakderdhje të rrezikshme gjatë javëve dhe muajve të parë të jetës.

Megjithatë, gjithnjë e më shumë prindër po refuzojnë injeksionin e vitaminës K, kryesisht për shkak të dezinformatave në internet dhe mosbesimit ndaj sistemit shëndetësor.

Disa prindër gabimisht besojnë se injeksioni është vaksinë, ndërsa të tjerë kanë frikë nga pretendime të pabazuara se ai lidhet me kancerin. Por studime të shumta shkencore nuk kanë gjetur asnjë lidhje mes injeksionit të vitaminës K dhe kancerit.

“American Academy of Pediatrics” rekomandon që të gjitha foshnjat ta marrin këtë injeksion menjëherë pas lindjes që nga viti 1961.

Sipas studiuesve të “National Institutes of Health”, mes viteve 2017 dhe 2024, pothuajse 200 mijë foshnja në SHBA nuk e morën injeksionin e vitaminës K në lindje, një rritje prej 77 për qind krahasuar me vitet e mëparshme.

Ekspertët paralajmërojnë se foshnjat që nuk marrin injeksionin kanë 81 herë më shumë gjasa të zhvillojnë VKDB gjatë gjashtë muajve të parë të jetës.

Simptomat mund të përfshijnë gjakderdhje në tru dhe zorrë, mavijosje të pashpjegueshme, kriza, të vjella me gjak, gjak në jashtëqitje, dëmtime të trurit dhe vdekje.

Mjekët theksojnë se në shumicën e rasteve nuk ka shenja paralajmëruese para se gjendja të bëhet kritike.

Duke komentuar rastet tragjike, pediatrja Candice Foy ka deklaruar se “ajo që u ndodhi këtyre foshnjave mund të ishte parandaluar”.