Lifestyle

Forma më e mirë e ushtrimeve për gjumë të qetë

Ushtrimet Yoga

Ushtrimet Yoga

Ushtrimet yoga dhe disa minuta frymëmarrje e qetë mund të jenë një nga mënyrat më të mira për të përmirësuar gjumin, sidomos nëse vuani nga pagjumësia.

Një meta-analizë e 30 studimeve ka treguar se yoga me intensitet të lartë lidhet më shumë me përmirësimin e gjumit sesa ecja, ushtrimet me pesha, ushtrimet aerobike apo teknikat tradicionale kineze si “tai chi” dhe “qi gong”, ka raportuar ScienceAlert.

Studimet, përfshinë mbi 2,500 pjesëmarrës me probleme gjumi në të gjitha grupmoshat.

Sipas studiuesve të Universitetit të Sportit në Harbin, Kinë, yoga me intensitet të lartë, për më pak se 30 minuta, dy herë në javë, është zgjidhja më i mirë për gjumin e dobët.

Ecja rezultoi forma e dytë më e mirë, ndërsa më pas erdhën ushtrimet me pesha. 
Efektet pozitive u vunë re që pas 8 deri në 10 javësh.

Megjithatë, jo të gjitha studimet janë të njëjta.

Një meta-analizë e vitit 2023 kishte sugjeruar se ushtrimet aerobike me intensitet mesatar, tri herë në javë, janë më efektive për cilësinë e gjumit. Por edhe në atë analizë, një nga studimet individuale kishte gjetur se yoga jepte rezultate më të forta se format e tjera të ushtrimeve.

Një arsye pse rezultatet ndryshojnë mund të jetë se yoga nuk kategorizohet lehtë: mund të jetë edhe aerobike edhe jo aerobike, dhe intensiteti i saj ndryshon shumë sipas teknikës.

Edhe pse meta-analiza më e fundit nuk mund të shpjegojë pse yoga ndikon sidomos te gjumi, studiuesit ofrojnë disa hipoteza.

Përveçse rrit rrahjet e zemrës dhe forcon muskujt, yoga ndihmon edhe në kontrollin e frymëmarrjes. Kjo lidhet me aktivizimin e sistemit nervor parasimpatik, i cili rregullon proceset e qetësimit dhe tretjes.

Disa studime tregojnë gjithashtu se yoga mund të rregullojë valët e trurit, duke favorizuar gjumin më të thellë.

Por shkencëtarët paralajmërojnë të mos nxirren përfundime të nxituara.

“Duhet pasur kujdes në interpretimin e gjetjeve nga studimet për çrregullimet e gjumit, duke pasur parasysh numrin e kufizuar të tyre dhe karakteristikat unike të këtij grupi”, theksojnë studiuesit e Universitetit të Harbin.

Në fund, trupat dhe trutë tanë janë të ndryshëm, ndaj nuk ka një zgjidhje të vetme për pagjumësinë, sipas ekspertëve yoga është një opsion i fortë, por jo i vetmi.