Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Disa mënyra për ta forcuar imunitetin gjatë dimrit

p

Shumë njerëz fillojnë ta kuptojnë se disa ndryshime të vogla në stilin e tyre të jetës mund të kenë ndikim të madh në sistemin imunitar .

Imunologu Ross Walton ka treguar për “The Sun” disa ndryshime në stil të jetesës që ju përforcojnë imunitetin, veçanërisht gjatë dimrit.

“Ne duhet ta mendojmë imunitetin si një koktej të madh. Shprehitë tona, gjumi, mënyra si ushqehemi dhe ushtrimet, të gjitha janë përbërësit që mund të kenë ndikim të madh se si reagon sistemi ynë imunitar e po ashtu redukton me këtë gjasat që të sëmuremi”, ka thënë Walton.

Walton, që është themelues i klinikës hulumtuese “A-IR” me seli në Londër, ka dhënë disa udhëzime se si mund ta forconi imunitetin.

Stërvitjet

Stërvitjet me pesha janë bonus i dyfishtë për imunitetin.

Jo vetëm që rregullon inflamacionin kronik, por edhe i jep shtytje prodhimit të antitrupave.

Indet muskulore kanë treguar se ofrojnë strehë për qelizat T, një lloj i qelizave të bardha të gjakut që luftojnë infeksionet.

Kur sistemi imunitar lodhet, muskujt lëshojnë më tepër qeliza të tilla për ta mbajtur në funksion.

Por, duhet të djersiteni. Duhet të përpiqeni më tepër.

Kështu që vrapimi, ngjitja nëpër shkallë apo edhe stërvitjet me intervale të caktuara janë shumë të mira.

Meditimi apo ecja në park

Stresi është një shtypës i reagimit tonë imunitar.

Meditoni apo ecni në park për ta çliruar kokën dhe për ta larguar stresin me të cilin përballeni.

Disa tjerë e largojnë stresin duke u përqendruar në aktivitet dhe larguar brengat nga koka.

Ushqimet e fermentuara

Shëndeti i zorrëve është i lidhur ngushtë me shëndetin e sistemit respirator.

Një studim ka zbuluar se personat me sasinë më të madhe të baktereve “të shëndetshme” të zorrëve kanë pasur një reduktim prej 27 për qind të simptomave kur kanë vuajtur nga sëmundjet respiratore.

Sigurohuni që dieta e juaj të jetë e pasur me fibra dhe të hani ushqime të fermentuara që kanë sasi të mëdha të baktereve të shëndetshme, si kefiri, apo pije të fermentuara si “kombucha”.

Mos hiqni dorë nga mëngjesi

Mëngjesi e aktivizon metabolizmin, që është kyç për imunitet të fortë.

Shmangni vaktet që kanë sheqer.

Vezët janë të pasura me vitamina A, B-12 dhe selen, që gjithashtu e mbajnë sistemin imunitar të shëndetshëm.

Kaloni pak kohë në qetësi

Gjumi është vendimtar, jo vetëm për rigjenerimin e indeve dhe për t’i dhënë trupit një kohë pushimi, por edhe për ta larguar lodhjen mentale.

Ju duhet një cikël i rregullt i gjumit, që fillon dhe përfundon rreth të njëjtës kohë, por gjithashtu duhet të kaloni edhe pak kohë në qetësi gjatë ditës.

Rimbushni bateritë për 15 apo 20 minuta, duke qëndruar në qetësi.

Pini më tepër ujë

Mbani një shishe uji në tryezën tuaj dhe vazhdoni të pini gjatë gjithë ditës.

Duhet të pini një litër e gjysmë apo dy litra ujë gjatë ditëve tuaja të punës.

Nëse stërvitni, mund t’ju duhet dyfishi. Nëse ngjyra e urinës suaj duket shumë e verdhë, atëherë mund të jeni të dehidruar.

Dilni më tepër në ambient të hapur

Mungesa e vitaminës D mund të pengojë aftësitë tuaja për t’i larguar infeksionet.

Rekomandohet marrja e suplementeve për të siguruar furnizimin e plotë me vitaminë D.

Por, po ashtu ju duhet të dilni jashtë qysh në mëngjes, kur dielli do t’ju ndihmojë të ekspozoheni ndaj vitaminës D.

Po ashtu rrezet e diellit ju zgjojnë trupin, ju rrisin disponimin dhe mirëqenien në përgjithësi.

Vaksinohuni

Vaksinat parandalojnë përhapjen e infeksioneve.

Kështu që merreni vaksinën e gripit sezonal apo edhe vaksinat përforcuese anti-COVID.

Nëse merrni vaksinën herët gjatë ditës, atëherë nxit një reagim më të fortë të antitrupave sesa nëse e merrni pasditen.

Artikuj të ngjashëm