Një studim i ri ka zbuluar se bakteret mund të kenë një rol të panjohur deri më tani në formimin e gurëve në veshkë, sidomos të atyre me kalcium oksalat, që përbëjnë rreth 80 për qind të rasteve.
Gurët në veshkë kanë prekur njerëzit që nga lashtësia.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDeri tani besohej se gurët me kalcium oksalat krijoheshin vetëm nga kristalizimi i mineraleve dhe kripërave në urinë.
Por, studiues nga SHBA-ja zbuluan diçka ndryshe: brenda këtyre gurëve kishte baktere të gjalla dhe biofilme (shtresa bakteriale të organizuara), ka shkruar ScienceAlert.
Sipas studimit, bakteret jo vetëm që ishin të pranishme, por mund të kenë rol aktiv në krijimin e gurëve.
“Ky zbulim sfidon bindjen e kahershme se këta gurë formohen vetëm përmes proceseve kimike dhe fizike. Tani shohim se bakteret mund të jetojnë brenda gurëve dhe mund të kontribuojnë në mënyrë aktive në formimin e tyre. Duke zbuluar këtë mekanizëm të ri, studimi hap rrugën për strategji të reja trajtimi që synojnë mjedisin mikrobial të gurëve në veshkë”, ka thënë urologia Kymora Scotland nga University of California Los Angeles.
Gurët në veshkë shkaktojnë dhimbje shumë të forta dhe, megjithëse zakonisht nuk janë të rrezikshëm nëse trajtohen, mund të çojnë në komplikime serioze në mungesë të kujdesit mjekësor.
Deri më tani dihej se bakteret luajnë rol në formimin e gurëve struvitë, një lloj më i rrallë (2-6 për qind e rasteve). Por gurët me kalcium, që janë më të zakonshmit, nuk mendohej se përmbanin baktere.
Formimi i këtyre gurëve nis kur në urinën e përqendruar krijohen kristale shumë të vogla, që më pas rriten dhe bashkohen. Megjithatë, shkencëtarët pranojnë se ky proces nuk është kuptuar plotësisht.
“Formimi dhe rritja e kristaleve është një proces kompleks. Shumë faktorë mund të veprojnë si nxitës ose si frenues, varësisht nga kushtet e mjedisit dhe karakteristikat fizike të molekulave”, shkruajnë studiuesit në punimin e publikuar në Proceedings of the National Academy of Sciences.
Duke përdorur mikroskop elektronik dhe fluoreshent, ekipi ka zbuluar jo vetëm baktere në sipërfaqe, por baktere të gjalla dhe biofilme të futura brenda vetë kristaleve që përbëjnë gurin.
“Gjetëm një mekanizëm të ri të formimit të gurëve që mund të shpjegojë pse këta gurë janë shumë të zakonshëm. Këto rezultate mund të ndihmojnë gjithashtu për të kuptuar lidhjen mes infeksioneve të përsëritura të traktit urinar dhe formimit të përsëritur të gurëve në veshkë, si dhe të ofrojnë ide për trajtime të reja në të ardhmen,” ka thënë Scotland.
Sipas studiuesve, bakteret mund të veprojnë si “bërthama” fillestare rreth së cilës fillojnë të grumbullohen kristalet. Me kalimin e kohës, ato mbeten të bllokuara brenda strukturës së gurit.
Ata sugjerojnë që gurët në veshkë të shihen si një “biokompozit organik-inorganik”, ku biofilmet bakteriale janë pjesë thelbësore e strukturës, madje edhe në raste kur analizat klinike nuk zbulojnë praninë e baktereve.
Megjithëse studimi u fokusua në gurët me kalcium, origjina e llojeve të tjera mbetet ende e paqartë, dhe është e mundur që edhe aty bakteret të kenë rol të nënvlerësuar.
Ky është zbulim i rëndësishëm për një problem shëndetësor që prek dhjetëra-miliona njerëz në mbarë botën.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se nevojiten kërkime të mëtejshme.
“Ekipi ynë po kryen studime për të kuptuar se si ndërveprojnë bakteret me gurët me bazë kalciumi. Duam të kuptojmë saktësisht pse disa pacientë janë më të prirë për formim të përsëritur të gurëve dhe çfarë është specifike te këto baktere që u lejon atyre të nisin procesin e krijimit të gurëve”, ka thënë Scotland.