Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Ana e errët e vëmendjes

Një studim i vitit 2019 ka treguar se të paktën 25 për qind e medituesve të rregullt kanë shpërfaqur efekte anësore, duke nisur nga sulmet e panikut dhe depresioni, deri te ndjenja e “shkëputjes”

Londër, 5 shkurt (BBC) – Për rreth 20 vjet, David Robson thotë të ketë pasur periudha ankthi dhe se meditimi e ka ndihmuar që t’i shtypë këto ndjenja. Përqendrimi te frymëmarrja apo te trupi pretendon t’ia ketë qetësuar zërin e brendshëm dhe mundësuar rikthimin në jetë normale, më plot energji e motiv.

Megjithëkëtë, bukur shpeshherë kishte përfunduar duke u ndier shumë më keq në fund të këtyre terapive sesa kur i kishte filluar. Në vend se të gjente relaksim, ai thotë se zemra i rrihte shumë më shpejt apo se monologu i brendshëm merrte një kthesë të errët, përderisa kujtimet e trishta dhe ndjenjat e dështimit e humbjes së shpresës ia pushtonin kokën. Ndjenjat e tilla iu shpeshtuan aq shumë saqë tani mediton përherë e më rrallë.

“Mendoja se e kisha gabuar plotësisht mënyrën e kontrollimit të mendimeve”, thotë Robson.

Por, një numër studimesh kanë sugjeruar se rrëfimet e tilla janë befasisht të zakonshme. Një studim i 2019-s ka treguar se të paktën 25 për qind e medituesve të rregullt kishin përjetuar efekte anësore, duke nisur prej sulmeve të panikut e depresionit, deri te ndjenja “e shkëputjes”.

Kjo çon deri te pyetja se si është e mundur që një praktikë kaq e dobishme për shumë njerëz të ketë efekte të tilla negative te disa të tjerë?

Edhe Rreth 1.2 miliard njerëz në botë jetojnë me çrregullime mendore Lifestyle 2 muaj më parë Rreth 1.2 miliard njerëz në botë jetojnë me çrregullime mendore

Teknikat e meditimit

Në diskutimet për meditimin është e rëndësishme të mbahet mend se ka teknika të ndryshme që trajnojnë për lloje të veçanta mendimi. Strategjitë më të mirënjohura janë frymëmarrja e thellë, në të cilën foksi vihet te mënyra e frymëmarrjes dhe te trupi, ndërkaq vëmendja përqendrohet nga koka te këmbët, përfshirë edhe ndjesitë e tjera fizike që dalin gjatë kësaj terapie.

Këto lloj praktika kanë për qëllim që t’ju mbajnë në të tashmen dhe efektet mund të shihen në fotografimet e trurit, me rritjen e lëvores insulore, një pjesë e trurit që përfshin perceptimin dhe ndjenjat. Këto trajtime mund të na afrojnë më shumë me ndjenjat, gjë që është e rëndësishme për vendimmarrje të mirë. Meditimi me kalimin e kohës mund t’i rrisë aftësinë për t’i kontrolluar edhe ndjenjat.

Qëllimi i këtyre ndryshimeve është mirëqenia, por kjo mund të ndodhë nëse keni ekuilibër dhe vëmendje. Fatkeqësisht, disa meditues mund ta kalojnë pikën optimale të njërit prej këtyre dy elementëve, gjë kjo që prodhon ankth.

Me kalimin e kohës, ndjeshmëria ndaj çdo ndryshimi të vogël mund të bëhet shumë e madhe. Kjo mund të gjenerojë sulme paniku, pasi ndjenjë të tillë kanë përjetuar 14 për qind e medituesve të cilët ishin pjesë e një studimi portugez.

Të tjerë meditues mund të kenë probleme të kundërta. Studimet kanë treguar se meditimi mund ta rrisë aktivitetin e pjesës prefrontale dorosolaterale, që e rregullon sistemin limbik dhe amigdalën, një tjetër pjesë ku procesohet vëmendshmëria emocionale.

“Nëse ka sasinë e duhur, kontrollimi prefrontal i sistemit limbik mund të sjellë përqendrim më të mirë dhe reaktivitet më pak emocional”, ka thënë Willoughby Britton, profesor i Psikiatrisë në Universitetin e Brownit. “Por, kur kalon përtej kufijve optimalë, mund t’i dëmtojë të gjitha ndjenjat, negativet dhe pozitivet, kështu që nuk mund të ndieni më lumturi apo kënaqësi të jashtëzakonshme”, ka shtuar ai.

Britton ka bërë të ditur gjithashtu se meditimi i rëndë mund ta dëmtojë edhe gjumin. Në mesin e personave që i janë nënshtruar kursit 8-javor të meditimit – kur meditimi ka zgjatur më shumë se 30 minuta në ditë, pesë ditë në javë – ka pasur numër të konsiderueshëm syresh që kanë shfaqur tendencë që të kenë gjumë më jocilësor krahasuar me ata që kanë medituar më pak.

Sipas Brittonit, meditimi mund ta rrisë përqendrimin ngjashëm sikurse kafeja, por kur kufijtë tejkalohen mund të gjenerojë ankth, panik dhe pagjumësi.

Edhe Kanabisi nuk është trajtim efektiv për ankthin dhe shëndetin mendor Lifestyle 4 muaj më parë Kanabisi nuk është trajtim efektiv për ankthin dhe shëndetin mendor

Pamja e plotë

Megjithëkëtë, meditimi është i dobishëm për shumë njerëz.

“Ndoshta mund t’i ndihmojë një personi mesatar për përmirësim të shëndetit mendor”, ka thënë Julieta Galante nga Universiteti i Cambridges, që së fundmi ka ndërmarrë një meta-analizë duke i vlerësuar dëshmitë që ekzistojnë deri më tani. Në përgjithësi, ajo ka zbuluar se meditimi ka pasur efekt pozitiv, ndonëse ka pasur dallime të mëdha mes studimeve. Sikurse Brittoni, edhe ajo është e mendimit se duhet pasur parasysh shumë nuanca ashtu që të kuptohen situatat specifike, në të cilat meditimi mund të jetë i dobishëm ose jo dhe se duhen bërë hetime më të thukëta për konstatimin e efekteve anësore potenciale.

Ajo ka theksuar se pjesa dërrmuese e studimeve i kanë përcjellë efektet gjatë një periudhe të shkurtër, në të cilën nuk mund të shfaqen efektet anësore.

Meditimi “jashtë vetes”

Çfarë mund të bëhet nëse meditimi nuk funksionon ashtu siç pritet?

Meta-analiza e Galantes ka treguar se në shumë raste meditimi nuk është më i mirë për shëndetin mendor sesa ndërhyrjet e tjera pozitive, si ushtrimet fizike. Dhe, në raste të tilla, mundësia më e thjeshtë është që të kalohet te një tjetër aktivitet.

Praktikuesit tradicionalë inkurajojnë që përqendrimi të bëhet te gjërat jashtë trupit, për shembull në një tufë lule në tavolinë, apo një pjesë e një poezie. Kjo mund të ndihmojë në qetësimin e ndjenjave të forta të ankthit apo largimi nga vetja i ndjenjave të shpërqendrimit, ka thënë Britton. Po shtohet përherë e më shumë interesimi për teknikat e meditimit, gjë kjo që hap rrugën për perspektiva të tjera dhe për kultivimin e ndjenjës së dhembshurisë – këto strategji janë efektive, sidomos kundër ndjenjës së vetmisë.

Në këtë çast disa persona mund të mendojnë se duhet ndjekur një strategji e caktuar – përqendrimi te frymëmarrja apo te trupi – pa i menduar alternativat e tjerat. Por, ky është gabim, ka thënë Britton.

Edhe Shkencëtarët zbulojnë pse njerëzit nuk mund të përqendrohen pas një nate pa gjumë Lifestyle 8 muaj më parë Shkencëtarët zbulojnë pse njerëzit nuk mund të përqendrohen pas një nate pa gjumë

“Duhet të kënaqemi me llojllojshmërinë e praktikave të tjera që janë në dispozicion, sepse të gjitha bëjnë gjëra të ndryshme dhe njerëzit kanë më shumë mundësi që t’i përshtatin sipas nevojës”, ka shtuar ai.

Akëcili njeri duhet ta zgjedhë teknikën më të mirë personale si dhe dozën “e duhur” për situatën e caktuar, e jo të ndjekë më përpikëri një plan që nuk duket funksional.