Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

A duhet të pini ujë gjatë ngrënies?

uji

Dihet mirë që tretja nuk është një proces që fillon me kafshatën e parë - përkundrazi, trupi përgatitet për të edhe para se të ulemi në tavolinë.

Tretja fillon më herët nga sa mendojmë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Era dhe pamja e ushqimit aktivizojnë menjëherë një sërë reaksionesh në trup, duke vënë në lëvizje sistemin që do të përpunojë atë që hamë për orët - madje edhe ditët - në vijim.

Si funksionon në të vërtetë tretja

Sapo shohim ose ndiejmë aromën e ushqimit, truri dërgon sinjale te gjëndrat e pështymës për të filluar prodhimin e saj. Pështyma përmban enzima që nisin menjëherë shpërbërjen e karbohidrateve në gojë. Pikërisht për këtë arsye përtypja ka një rol kyç - jo vetëm që lehtëson gëlltitjen, por edhe rrit hapësirën e ushqimit, duke i lejuar enzimat të veprojnë më efektivisht më vonë.

Pas gëlltitjes, ushqimi kalon nëpër ezofag falë lëvizjeve valëzuese të muskujve, të njohura si peristaltikë, dhe arrin në stomak për vetëm pak sekonda. Këtu fillon faza më intensive e tretjes: stomaku, si një mjedis shumë acidik, e zbërthen ushqimin si mekanikisht ashtu edhe kimikisht. Muskujt e përziejnë përmbajtjen, ndërsa acidi gastrik dhe enzimat shpërbëjnë proteinat.

Pas disa orësh, ushqimi shndërrohet në një masë gjysmë të lëngshme që kalon në zorrën e hollë - vendi kryesor i përthithjes së lëndëve ushqyese. Aty, tëmthi nga mëlçia shpërbën yndyrnat, ndërsa enzimat nga pankreasi vazhdojnë procesin e tretjes. Lëndët ushqyese më pas hyjnë në qarkullimin e gjakut dhe shpërndahen në të gjithë trupin.

Pjesa e mbetur e ushqimit kalon në zorrën e trashë, ku përthithet uji shtesë, dhe në fund trupi nxjerr mbeturinat. I gjithë ky proces mund të zgjasë nga 10 deri në 60 orë, shkruan Parade. 

A është vërtet e dëmshme të pish ujë gjatë ngrënies?

Ekziston një besim i përhapur se pirja e ujit gjatë vakteve “hollon lëngjet gastrike” dhe e vështirëson tretjen. Megjithatë, ekspertët thonë të kundërtën.

Sipas gastroenterologes Rucha Shah, uji në fakt mund të ndihmojë procesin e tretjes. Ai e zbut ushqimin, lehtëson kalimin e tij nëpër traktin tretës dhe ndihmon në përthithjen më të mirë të lëndëve ushqyese. Gjithashtu luan rol të rëndësishëm në parandalimin e kapsllëkut, pasi ndihmon në mbajtjen më të butë të jashtëqitjes.

Një tjetër përfitim është se uji mund të nxisë të ngrënit me më shumë vetëdije - kur bëjmë pauza për të pirë, e kemi më të lehtë të kuptojmë kur jemi ngopur dhe zvogëlojmë rrezikun e teprimit në ushqim.

Megjithatë, është e rëndësishme masa. Konsumimi i tepërt i lëngjeve gjatë vakteve mund të shkaktojë fryrje ose parehati. Personat që vuajnë nga refluksi mund të vërejnë përkeqësim të simptomave nëse pinë shumë lëngje gjatë ushqimit.

Zakonet e vogla që bëjnë ndryshim të madh

Një tretje e mirë nuk kërkon dieta të komplikuara apo rregulla të rrepta - shpesh mjaftojnë ndryshime të thjeshta në përditshmëri:

  • Përtypeni mirë ushqimin - shumica e njerëzve hanë shumë shpejt. Ngrënia më e ngadaltë dhe përtypja e mirë e lehtëson punën e stomakut dhe ul rrezikun e fryrjes. 
  • Bëni një shëtitje pas ushqimit - një ecje e lehtë stimulon zorrët dhe ndihmon tretjen më efikase të ushqimit.