Kur vjen vera dhe të gjithë shkojnë në plazh, mendja na shkon te rreziku nga peshkaqenët — por, në fakt, armiku më vdekjeprurës i njerëzimit është shumë më i vogël: mushkonja, ka shkruar CNN.
“Është vrasësja numër një në historinë e njerëzimit”, ka thënë historiani Timothy C. Winegard. Ky insekt i vogël shkakton mbi 1 milion vdekje çdo vit, duke përhapur sëmundje të rënda si malaria, virusi Zika, ethet hemorragjike, virusin chikungunya dhe West Nile.
“Malaria dhe ethet hemorragjike kanë ndikuar në rrjedhën historike të njerëzimit, që nga paraardhësit tanë e deri më sot”, ka thënë Winegard në një intervistë për doktorin Sanjay Gupta në podcastin Chasing Life.
Eksperti ka dhënë pesë këshilla për tu mbrojtur nga mushkonjat
1 Shmangni alkoolin
Sipas Winegard, alkooli ju bën më të dukshëm për mushkonjat.
“Konsumimi i alkoolit rrit temperaturën e trupit, duke ju bërë një shenjë më të qartë për mushkonjat që shohin përmes nxehtësisë (infrared)”, ka thënë ai.
Prandaj, në vend të një birre, zgjidhni ujë të ftohtë ose limonadë.
2 Qëndroni të freskët
Mushkonjat janë të ndjeshme ndaj erës së karbonit (CO₂) dhe nxehtësisë së trupit.
“Nëse po ushtroni ose po merrni frymë me intensitet, ato do ta ndiejnë dhe do t’ju afrohen”, ka thënë Winegard.
Zgjidhni rroba me ngjyrë të çelët dhe që mbulojnë lëkurën për të reduktuar rrezikun.
3 Përdorni preparate efektive kundër mushkonjave
Aplikoni spërkatës në çdo pjesë të trupit, edhe në vende të vogla që mund t’i harroni.
“Mund të lyesh gjithë trupin dhe të harrosh pjesën e pasme të këmbës… ajo do ta gjejë atë pjesë”, ka thënë Winegard.
Ai rekomandon vajin e eukaliptit e të limonit për ata që preferojnë produkte natyrale.
Gjithashtu, disa rroba janë të trajtuara paraprakisht me permethrin, një pesticid që largon mushkonjat.
4 Hiqni ujin e ndenjur
Mushkonjat femra vendosin vezët në ujëra të qeta, madje edhe në një kapak shisheje të mbushur me ujë.
“Edhe një lodër në kopsht apo një gomë e braktisur mund të bëhet vend ideal për vezët e mushkonjave”, ka paralajmëruar Winegard.
Kontrolloni rregullisht oborrin, kopshtin dhe ambientet përreth për të shmangur akumulimin e ujit.
5 Lini parfumet, por lani këmbët!
“Është më mirë të jeni pak të djersitur”, ka thënë Winegard.
Kjo sepse bakteret në lëkurë mund të largojnë mushkonjat, por këmbët janë përjashtim.
“Bakteret në këmbë, të njëjtat që përdoren për të fermentuar djathërat, janë një afrodisiak për mushkonjat”, ka thënë ai.
Prandaj: mos përdorni deodorant ose parfume aromatike, por lani mirë këmbët!
Po grupi i gjakut?
Mos u mashtroni me mite: mushkonjat nuk zgjedhin viktimat bazuar në gjini, ngjyrë flokësh apo lëkurë, por grupi i gjakut O është më i preferuari i tyre.
“Njerëzit me grup gjaku O kafshohen dy herë më shumë sesa ata me grup A, ndërsa grupi B qëndron diku në mes”, ka thënë Winegard.