Lifestyle

Shkencëtarët propozojnë mënyrë të re për të luftuar malarien, t'i trajtojnë mushkonjat me ilaçe

malaria

Foto: Associated Press

Në një qasje krejtësisht të re, studiuesit amerikanë propozojnë që mushkonjave t’u jepen ilaçe kundër malaries për t’i pastruar nga infeksioni dhe për të ndërprerë përhapjen e sëmundjes. Sipas tyre, në vend që të vriten mushkonjat me pesticide, ato mund të “shërohen”, në mënyrë që të mos jenë më bartëse të malaries, ka raportuar BBC.

Si pasojë e malarias afro 600,000 njerëz vdesin çdo vit, shumica fëmijë. Malaria përhapet nga mushkonjat femra, kur thithin gjak.

Kjo ide vjen nga një ekip në Universitetin e Harvardit, i cili ka zbuluar dy ilaçe që mund ta zhdukin parazitin e malaries nga trupi i mushkonjës, kur ajo bie në kontakt me to përmes këmbëve. Qëllimi afatgjatë është që këto ilaçe të përdoren për t'u vendosur nëpër rrjetat kundër mushkonjave, nën të cilat njerëzit flenë, në mënyrë që të mbrohen nga pickimi i tyre.

Fotografi nga AP. Rrjetat që përdoren për të fjetur nën to, në mënyrë që njrëzit të mbrohen nga pickimi i mushkonjave

Si funksionon kjo qasje?

“Nuk kemi provuar ndonjëherë më parë të shkatërrojmë drejtpërdrejt parazitin brenda mushkonjës. Deri më sot, kemi qenë të fokusuar vetëm te vrasja e mushkonjës, por kjo mënyrë nuk po funksionon më si më parë”, ka thënë doktoresha Alexandra Probst nga Harvard për BBC.

Në shumë vende, mushkonjat kanë zhvilluar rezistencë ndaj pesticideve, duke bërë që rrjetat që përdoren aktualisht të mos jenë më aq efektive.

Çfarë zbuloi studimi?

Studiuesit analizuan ADN-në e parazitit të malaries për të gjetur pika të dobëta gjatë kohës kur ai ndodhet brenda mushkonjës. Më pas, testuan një gamë të gjerë ilaçesh dhe përzgjodhën 22 më premtueset. Në fund, identifikuan dy ilaçe që zhdukën 100% të parazitëve, sipas studimit të publikuar në revistën Nature.

Këto ilaçe u testuan në materiale të ngjashme me rrjetat që përdorin njerëzit për të fjetur nën to, me qëllim që të mbrohen nga pickimi i mushkonjave.

“Edhe nëse mushkonja mbijeton pasi prek rrjetën, parazitët brenda saj vriten dhe ajo nuk përhap më malarie”, ka shpjeguar Probst.

Pse kjo metodë mund të funksionojë?

Sipas studiuesve, kjo qasje ka më pak gjasa të çojë në rezistencë nga paraziti, sepse në trupin e një personi të infektuar ndodhen miliarda parazitë, ndërsa në trupin e një mushkonje vetëm disa.

Gjithashtu, efektet e ilaçit mund të zgjasin deri në një vit në rrjetat e trajtuara me ilaëe, duke e bërë atë një alternativë të qëndrueshme dhe të përballueshme ekonomikisht ndaj pesticideve tradicionale.

Çfarë pritet më tej?

Kjo metodë është provuar me sukses në laborator, dhe faza e radhës do të zhvillohet në Etiopi, për të parë nëse funksionon edhe në praktikë. Do të duhen të paktën gjashtë vjet studime dhe testime, përpara se të dihet nëse kjo qasje mund të përdoret gjerësisht.

“Është një mënyrë krejtësisht e re për të luftuar malarien, dhe shumë premtuese”, ka përfunduar doktoresha Probst.

Synimi përfundimtar është që rrjetat të trajtohen me një kombinim të ilaçeve kundër malaries dhe pesticideve, në mënyrë që nëse njëra mënyrë dështon, tjetra të funksionojë.