Kur gjumi është i vështirë për t’u arritur, do të bëni pothuajse gjithçka për të fjetur disa orë. Nga marrja e suplementeve të gjumit si melatonina, e deri te ndryshimi i rutinave të gjumit, shumica e njerëzve (të rraskapitur) janë të gatshëm të provojnë metoda të ndryshme për të fjetur më mirë.
Por a duhet të mendoni ta ndryshoni dietën tuaj, për një gjumë më të mirë?
Sipas profesionistëve të ushqyerjes, ajo që hani me siguri mund të ketë një efekt në gjumin tuaj. Ndërsa ka një sërë faktorësh që ndikojnë në mënyrën se si flini gjatë natës, ia vlen t’i hidhni një sy asaj që po hani çdo ditë për të parë nëse ato ushqime po ju përgatitin për një gjumë të rehatshëm më vonë.
Një dietë e ekuilibruar mund të ndihmojë në menaxhimin e niveleve të sheqerit në gjak dhe në reduktimin e inflamacionit, i cili është i rëndësishëm për parandalimin e dhimbjes dhe për ta bërë një gjumë të shëndoshë. Marrja e mjaftueshme e makronutrientëve (karbohidrate, yndyra dhe proteina) e ndihmon gjithashtu trupin në krijimin e kimikateve qetësuese si, serotonina dhe melatonina, të cilat ju ndihmojnë të ndiheni të relaksuar dhe të përgjumur.
Disa ushqime mund t’ju ndihmojnë të flini më mirë nëse i hani para gjumit ose kur zgjoheni në mes të natës, por ushqimet e mëposhtme mund t’ju ndihmojnë të flini më mirë pavarësisht se kur i hani ato.
Ushqimet e mëposhtme ju ndihmojnë të flini më mirë sepse të gjitha ato përmbajnë lëndë ushqyese që mund ta nxisin një shëndet më të mirë në përgjithësi, dhe nga ana tjetër gjumë më të mirë. Hani një shumëllojshmëri ushqimesh të papërpunuara, të plota, që janë të pasura me antioksidantë dhe fibra. Përpiquni të kombinoni ushqime që ofrojnë makronutrientë të ndryshëm, gjë që siguron që ju të përmbushni nevojat tuaja për lëndë ushqyese. Gjithashtu është një ide e mirë të ndaloni së ngrëni 2 deri në 3 orë para gjumit, në mënyrë që të keni kohë për ta tretur ushqimin para se të flini dhe të mos hasni në probleme me refluksin e acidit.
Jashtë makronutrientëve, disa mikroelemente mund të ndikojnë në gjumin po ashtu. Është e mundur që mungesa e vitaminës D ose magnezit mund ta ndërpresë gjumin. Disa prova tregojnë gjithashtu se njerëzit me pak vitamina E, C dhe B12, B6, gjithashtu mund të vuajnë nga më shumë probleme me gjumin. Secila prej këtyre lëndëve ushqyese ndikon në ciklet e gjumit në një mënyrë të ndryshme.
Ushqimet që e nxisin gjumin janë ato që përmbajnë triptofan (një aminoacid që ndihmon në çlirimin e serotoninës), magnez, vitaminë D dhe karbohidrate komplekse. Ushqimet e pasura me vitaminë C dhe vitamina B gjithashtu mund të jenë të dobishme.
Më poshtë ua propozojmë disa prej ushqimeve që e promovojnë gjumin e mirë:
- Drithërat integrale si tërshëra ose kinoa
- Proteinat si shpendët dhe peshku
- Perimet me gjethe dhe perimet krucifere
- Vezët
- Banane, kivi, portokalli, manaferrat dhe fruta të tjera