Lifestyle

Shkencëtarët kinezë zbulojnë një terapi gjenetike që vonon plakjen

Shkencëtarët në Pekin kanë zhvilluar një terapi të re gjenetike që mund të ndryshojnë disa nga efektet e plakjes në minj dhe të zgjasë jetëgjatësinë e tyre, gjetje të cilat një ditë mund të kontribuuojnë në tretman të ngjashëm edhe te njerëzit, njofton agjencia Reuters.

Metoda, që është publikuar në revistën Science Translational Medicine më herët këtë muaj, përfshin deaktivizimin e gjenit të quajtur kat7 që shkencëtarët e kanë zbuluar se është faktori kryesor kontribues për plakjen e qelizave.

Terapia specifike që e kanë përdorur dhe rezultatet kanë qenë të parat e këtij lloji, ka thënë bashkë-mbikqyrësi i projektit, profesori Qu Jing (40), një specialist në medicinën regjenerative, nga Instituti i Zoologjisë në Akademinë e Shkencave të Kinës (CAS).

“Këta minj tregojnë se pas 6-8 muajve paraqitja e përgjithshme është përmirësuar dhe po ashtu edhe janë forcuar dhe më me rëndësi i është zgjatur jetëgjatësia për rreth 25 për qind”, ka thënë Qu.

Ekipi i biologëve nga departamente të ndryshme të CAS përdorën metodën CRSPR/Cas9 për të skenuar mijëra gjene për ato që janë veçanërisht nxitëse në plakjen qelizore.

Identifikuan 100 gjene nga rreth 10 mijë sa i skenuan, dhe gjeni kat7 ishte faktori më kontribuues në plakjen qelizore, ka thënë Qu.

Kat7 është një nga dhjetëramijëra gjene të gjetura në qelizat e gjitarëve. Hulumtuesit e deaktivizuan atë në mëlçitë e minjve duke përdorur një metodë të quajtur vektori lentiviral.

“Ne vetëm testuam funksionin e gjenit në tipe të ndryshme të qelizave, në qelizën burimore të njeriut, qelizat paraardhëse mezenkimale, në qelizën e mëlçisë së njeriut dhe qelizën e mëlçisë ë miut dhe te të gjitha këto qeliza nuk pamë ndonjë toksicitet qelizor. E te minjtë nuk kemi parë as efekte anësore momentalisht”, ka thënë Qu.

Përkundër kësaj, metoda është ende shumë larg së qenit e gatshme për tesime te njerëzit, ka thënë Qu.

“Është definitivisht e nevojshme të testohet funksioni i kat7 më qelizat tjera njerëzore dhe në organet tjera te minjtë dhe te kafshët tjera, para se të përdorin strategjinë për të ngadalësuar plakjen te njerëzit dhe për gjendje tjera shëndetësore”, ka thënë Qu. “Ne shpresojmë se në të ardhmen mund të gjejmë mënyrë për të shtyrë plakjen qoftë edhe për një përqindje të vogël”.