Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Minjtë mund të rinohen. A mund të ndodhë edhe te njerëzit?

Në laboratorët e Bostonit, minjtë e vjetër e të verbër kanë rifituar shikimin, kanë zhvilluar tru të ri e muskuj më të shëndetshëm. Në anën tjetër, minjtë e ri janë plakur shpejt, me rezultate shkatërruese për pothuajse çdo ind të trupit. Eksperimentet megjithatë kanë treguar se plakja është proces i kthyeshëm, në gjendje që “të shtyhet a të kthehet prapa sipas dëshirës”, ka thënë eksperti i anti-plakjes, David Sinclair, profesor i gjenetikës në Institutin “Blavatnik” në “Harvard Medical School”.

Trupat tanë përmbajnë një kopje rezervë të rinisë, që mund të nxitet për t’u rigjeneruar, ka thënë Sinclairi, autor i një punimi të ri që tregon punën e laboratorit të tij dhe shkencëtarëve ndërkombëtarë.

Eksperimentet e reja, të publikuara së pari në revistën “Cell”, kanë sfiduar besimin shkencor se plakja është rezultat i mutacioneve gjenetike që minojnë ADN-në, duke krijuar gropë të indeve qelizore të dëmtuara që mund të çojnë në përkeqësim, sëmundje dhe vdekje.

“S’janë mbeturina, s’është dëm që na bën të plakemi”, ka thënë Sinclairi, që ka përshkruar për CNN-in punën e tij. “Besojmë se është humbje informacioni – humbje në aftësitë e qelizës për të lexuar ADN-në origjinale, në mënyrë që të harrojë se si të funksionojë – në të njëjtën mënyrë siç mundet një kompjuter i vjetër të zhvillojë softuer të korruptuar. Unë e quaj ‘teoria e informacionit të plakjes’”, ka thënë ai.

Jae-Hyun Yang, studiues i gjenetikës në Laboratorin “Sinclair”, që ishte bashkautor i punimit, ka thënë se pret që gjetjet “të transformojnë mënyrën se si e shohim procesin e plakjes dhe mënyrën se si i qasemi trajtimit të sëmundjeve që lidhen me plakjen”.

Edhe Kafeja mund ta ndihmojë trupin të luftojë plakjen dhe stresin Lifestyle Kafeja mund ta ndihmojë trupin të luftojë plakjen dhe stresin

Ndryshimet epigjenike kontrollojnë plakjen

Përderisa ADN-ja mund të shihet si harduer i trupit, epigjenoma është softueri. Sipas Institutit Kombëtar të Kërkimit të Gjenomit Njerëzor, epigjenet janë proteina dhe kemikate që qëndrojnë si njolla në çdo gjen, duke pritur për t’i treguar gjenit “çfarë të bëjë, ku dhe kur”.

Epigjenoma ndez dhe fik gjenet. Procesi mund të shkaktohet nga ndotja, toksinat mjedisore dhe veprimet njerëzore si duhanpirja, dietat ose mungesa kronike e gjumit. Sikurse kompjuteri, procesi qelizor korruptohet pasi më shumë qeliza dëmtohen, ka thënë Sinclairi.

“Paniku i qelizave dhe proteinave, që normalisht do të kontrollonin gjenet, shpërqendrohet duke shkuar për ta riparuar ADN-në”, ka shpjeguar ai. “Më pas, ato nuk gjejnë rrugën e kthimit nga ku janë nisur dhe me kalimin e kohës bëhet një lojë ping-pongu, ku topat përfundojnë në dysheme”.

Në fjalë të tjera, pjesët qelizore humbin rrugën për në shtëpi, sikur një person me Alzheimer.

“Zbulimi befasues është se ka një kopje rezervë të softuerit në trup që mund ta rinisni”, ka thënë Sinclairi. “Ne po tregojmë se përse softueri dëmtohet ose si mund ta rindezim duke prekur një çelës që ringjall aftësinë e qelizës për të lexuar saktë sërish gjenomin, sikur të ishte e re”.

Sipas Sinclairit, s’ka rëndësi nëse trupi është 50 apo 75-vjeçar, i shëndetshëm apo i prekur nga ndonjë sëmundje. Sapo që procesi ngjallet një herë, “trupi do ta kujtojë se si të rigjenerohet dhe do të jetë sërish i ri, edhe nëse tashmë është më në moshë apo ka sëmundje. Se cili është ai softuer, nuk e dimë ende. Në këtë moment vetëm dimë se mund ta kthejmë çelësin”.

Kërkimi për çelësin e rinimit ka nisur shumë kohë më parë. Siç ka thënë Sinclairi, për ta testuar teorinë, ai nisi plakjen e shpejtë të minjve pa u shkaktuar mutacione ose kancer.

“E nisëm këtë në minj, kur unë isha 39-vjeçar. Tani jam 53-vjeçar dhe po hulumtojmë sërish atë mi. Nëse teoria e informacionit të plakjes ishte gabim, atëherë do të kishim një mi të ngordhur ose një mi normal, një që plaket ose një që ka kancer. Do të kemi plakje”, ka thënë ai.

Me ndihmën e shkencëtarëve tjerë, Sinclairi dhe ekipi i Harvardit kanë qenë në gjendje të plakin indet në tru, sy, muskuj, lëkurë dhe veshka të minjve.

Për ta bërë këtë, ekipi i tij bëri ndryshime të ngutshme në epigjenom. Në vend që të ndryshojë seksionet koduese të ADN-së që mund të shkaktojnë mutacione. Këto bënë që për një vit, miu që iu nënshtrua eksperimentit të plaket sa për dy vjet.

Rinimi sërish

Pas kësaj, ka ardhur koha për procesin e kthimit prapa. Yuancheng Lu, shkencëtar në këtë laborator, ka krijuar një përzierje të tre nga katër faktorëve “Yamanaka”, qeliza të lëkurës së njerëzve të rritur që janë riprogramuar të sillen si qeliza burimore embrionale, të afta të zhvillohen në çdo qelizë në trup.

Edhe Sekreti i plakjes së shëndetshme mund të jetë mënyra si e shohim moshën Lifestyle Sekreti i plakjes së shëndetshme mund të jetë mënyra si e shohim moshën

Kokteji u injektua në qelizat të dëmtuara të ganglionit të retinës në pjesën e pasme të syve të minjve të verbër dhe u ndez duke i ushqyer minjtë me antibiotikë.

“Antibiotiku është vetëm një mjet. Mund të jetë ndonjë kimikat, vetëm si mënyrë që të sigurohet se tri gjenet po ndizen”, ka thënë Sinclairi. “Normalisht ato veçse janë në embrione shumë të reja e në zhvillim, e më pas fiken derisa plakemi”.

Minjtë rifituan pjesën më të madhe të shikimit.

Më pas ekipi trajtoi qelizat e trurit, muskujve dhe veshkave dhe i riktheu në nivele shumë më të reja, sipas studimit.

“Një nga zbulimet tona ishte të kuptojmë se nëse përdorni grupin e veçantë prej qelizave staminale, miu nuk kthehet në pikën zero, që do të shkaktonte kancer ose më keq. Në vend të kësaj, qelizat kthehen 50 për qind deri 75 për qind të moshës origjinale, dhe ndalen e nuk bëhen më të reja, gjë që është me fat. Se si dinë qelizat ta bëjnë këtë, ende nuk e kemi kuptuar”, ka thënë Sinclairi.

Ekipi i Sinclairit po përpiqet ta gjejë një rrugë për të ndezur baras çdo qelizë, për të rinuar miun në tërësi.

Sinclairi ka thënë se ka telashe teknike, por, sipas tij, dy studime të papublikuara tashmë e kanë tejkaluar problemin.

“Njëri përdor sistemin e njëjtë që e kemi zhvilluar te minjtë e vjetër, ekuivalenti i një njeriu 80-vjeçar. Dhe ende po i bën minjtë të jetojnë më gjatë. Është e jashtëzakonshme”, ka thënë ai. Por sipas tij, “kjo tregon se përtëritja s’prek vetëm disa organe, por është në gjendje të rinojë të gjithë miun sepse ata jetojnë më gjatë”.

Çfarë pritet tutje? Miliarda dollarë po hidhen në metodat për të kthyer kohën pas dhe për të luftuar plakjen.

Në laboratorin e tij, Sinclairi ka thënë se ekipi ka rinisur qelizat te minjtë disa herë, duke treguar se plakja mund të kthehet më shumë se një herë. Megjithatë, mund të kalojnë dekada të tëra para se të nisin provat klinike kundër plakjes te njerëzit, të analizohen dhe nëse është e sigurt dhe e suksesshme të kërkohet miratimi ligjor.

Por si faktorët dëmtues që mund ta prishin epigjenomën, sjelljet e shëndetshme mund ta riparojnë atë, ka thënë Sinclairi.

“E dimë që kjo ndoshta është e vërtetë sepse njerëzit që kanë jetuar në mënyrë më të shëndetshme kanë më pak moshë biologjike sesa të tjerët”, ka thënë ai duke këshilluar që njerëzit të ushqehen me bimë, të hanë më rrallë, të flenë mjaftueshëm e të ushtrojnë për të ruajtur masën muskulore.

Edhe Njerëzit mund të kenë aftësi rigjeneruese Lifestyle Njerëzit mund të kenë aftësi rigjeneruese

“Çdo ditë ka rëndësi. Si e jetoni jetën në adoleshencë dhe në të 20-at ka shumë rëndësi, edhe dekada më vonë, sepse çdo ditë ora juaj troket”, ka deklaruar ai.

Marrë nga CNN, përktheu E.B.