Duket sikur nuk ekziston, por pikërisht për këtë arsye është kudo. Fustani transparent, me pëlhura aq të holla sa mezi dallohen, është shndërruar në simbolin më të debatuar të modës së fundit. Nga tepihët e kuq te pasarelat dhe rrjetet sociale, ai po sfidon kufirin mes veshjes dhe zhveshjes, mes lirisë personale dhe mënyrës së vështrimit publik. Për disa është një shprehje guximi dhe vetëbesimi, për të tjerë një provokim i panevojshëm. Por një gjë është e sigurt: fustani transparent nuk kalon kurrë pa u vënë re.
(CNN) - Trendi më i madh i vitit ishte pothuajse i padukshëm. Ai u shfaq mbi trupin e aktoreve të njohura të Hollywoodit, si: Margot Robbie, në fije të holla rruazash dhe gurësh vezullues; e “mbuloi” trupin e Julia Foxit, në stilin e artistit të njohur italian të Rilindjes, Sandro Botticellit; dhe, përmes një shtrese transparente rrjete të bardhë, ka zbuluar shtatzëninë e re të aktores Sienna Miller përpara gjithë botës.
Bëhet fjalë për fustanin transparent.
Gjatë vitit 2025, aktore, muzikante dhe influencuese të panumërta u shfaqën në tepih të kuq me fustane transparente, veshje me materiale aq të tejdukshme ose minimale sa krijojnë iluzionin sikur nuk ke veshur asgjë, apo fustane të dizajnuara për të mashtruar syrin dhe për të imituar lakuriqësinë.
Pse kaq shumë disenjatorë i krijuan këto fustane këtë vit dhe pse të famshmet vazhdojnë t’i zgjedhin?
Sipas stilistëve, këto fustane janë shprehje lirie dhe reflektim i marrëdhënies njerëzore në ndryshim me trupin dhe lakuriqësinë.
Kritikët, nga ana tjetër, i shohin si një lloj kënaqje për “këndvështrimin mashkullor”. A janë fustanet transparente versioni modern i “rrobave të reja të perandorit”, apo ëndërr e realizuar për pozitivitetin trupor?

Liri, barazi, lakuriqësi?
“Çdo stil që hyn në modë është i mbingarkuar nga shumë shkaqe, për të përdorur një term psikoanalitik”, ka thënë Valerie Steele, drejtoreshë dhe kuratore kryesore e Muzeut në Institutin e Teknologjisë së Modës (FIT) në New York.
Për këtë, nuk ka vetëm një arsye, nuk është as një klimë konservatore politike e as formë e re e çlirimit seksual.
“Ngjarjet e mëdha historike shpesh janë në sfond, ashtu si edhe individë të veçantë, për shembull një aktore e caktuar. Por katalizatorët e vërtetë të ndryshimeve në modë gjenden diku në mes, në botën e artizanatit dhe stilit të jetesës”, ka thënë Steele.
Sipas saj, disenjatorët vëzhgojnë vazhdimisht njëri-tjetrin, duke parë se çfarë krijon vëmendje dhe publicitet. Dhe këtë vit, asgjë nuk garantonte viralitet më shumë se fustani transparent.
Disenjatorët që qëndrojnë pas versioneve më të komentuara të këtij trendi thonë se synimi i tyre është të festojnë fuqinë e gruas brenda atij fustani, sado i hollë apo transparent të jetë ai.
“Fustani transparent, për mua, nuk ka pasur asnjëherë të bëjë me ekspozimin, por me çlirimin. Ka të bëjë me një grua që zgjedh të paraqitet saktësisht ashtu siç dëshiron, me kontroll të plotë mbi praninë e saj. Kur dizajnoj veshje që zbulojnë trupin, mendoj për vetëbesimin si energji, jo si shfaqje”, ka thënë disenjatori i pavarur amerikan LaQuan Smith.
Në ngjarjen më të madhe të modës në botë, ku mblidhen fonde për Institutin e Kostumeve në Muzeun Metropolitan të Artit në New York, “Met Gala”, Smith ka krijuar për aktoren Halle Berry shirita me rruaza të zeza, që dukeshin sikur të ishin të lëngët, dhe rrjetë transparente që përfundonin në një bisht të gjatë dramatik, ndërsa për këngëtaren Ciara vendosi kristale mes mëndafshit të zi mat, duke theksuar siluetën. Gratë nuk dukeshin as të brishta, as të pambrojtura.
Marcelo Gaia, themelues i brendit “Mirror Palais”, i cili në vitin 2019 prezantoi formën moderne të fustanit transparent, i sheh këto krijime si festim të feminitetit.
“Trupi i gruas është jashtëzakonisht i bukur. Është krijimi më i përsosur. Nëse do të krijosh diçka të bukur, nuk ke nevojë të bësh shumë, thjesht tregon atë që ekziston”, ka thënë ai.
Provokimi, sipas disenjatorëve, është pjesë e qëllimit.
Fustani me kristale i disenjatorit britanik, Christian Cowan, i veshur nga aktorja Sydney Sweeney në një ngjarje të revistës “Variety” në muajin tetor, ka shkaktuar debat të madh në rrjete sociale. Disa e quajtën pamjen vulgare.
“Më pëlqeu që ishte pak kontrovers dhe nxiti diskutime. Çdo gjë me vlerë i shqetëson disa njerëz. Ai shton se gratë vishen për mënyrën se si ndihen vetë, jo për vështrimin mashkullor. Cili vështrim mashkullor? Shumicën e rasteve, gratë nuk vishen për burrat”, ka thënë Cowan.
Edhe kur ky vështrim ekziston, ai mund të jetë i pakëndshëm.
Këngëtarja Lily Allen u shfaq me një fustan transparent në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “CFDA”, në kulmin e suksesit të albumit të saj të ri, që trajton ndarjen nga bashkëshorti David Harbour.
Pamja e saj përcillte mesazh sfidues dhe vetëbesim të plotë: ajo po tregonte se ishte mirë, më e fortë se kurrë.
Shkrimtarja Tish Weinstock, e cila u martua me një fustan transparent “vintage” të disenjatorit të famshëm John Galliano, thotë se nuk ndihej aspak e zhveshur.
“Nuk ndihem lakuriq, sepse në fakt jam e veshur me rroba, dhe jo çfarëdo rrobash, por pjesëza historike shumë të bukura. Mua, ky fustan, më bën të ndihem si një figurë mistike, jo si dikush pa rroba”, ka thënë Weinstock.
Sipas Cowan, këto veshje sfidojnë tabutë rreth trupit të gruas.
“Pse duhet të jetë tabu? Trupi i një gruaje duhet të jetë vendimi i saj dhe të tjerët duhet ta pranojnë këtë”, ka thënë ai.

“Perandoria” e re dhe GLP-1, (ilaçet e diabetit që po përdoren për humbje peshe)
Sigurisht, ajo që e vesh, admiruesit e saj besnikë apo ish-partneri nuk janë të vetmit që e shohin fustanin transparent, dhe, sipas Steele, asnjë fustan i vetëm nuk e ka vetëm një kuptim të fiksuar.
“Nuk mund t’i japësh një interpretim të vetëm, sepse i njëjti stil mund të nënkuptojë gjëra krejt të ndryshme te persona të ndryshëm. Kuptimi nuk është i natyrshëm në fustan. Ai krijohet dhe rikrijohet çdo herë nga ajo që e vesh, disenjatori, stilisti dhe publiku, teksa të gjithë përpiqen të kuptojnë se çfarë do të thotë”, ka thënë ajo.
Steele sjell si shembull mbretëreshën e fundit të Francës, Marie Antoinetten, e cila në shekullin XVIII e bëri të famshëm fustanin “chemise”, përgjigjja e asaj kohe ndaj fustanit transparent.
“Kjo u ndikua pjesërisht nga rënia e regjimit të vjetër dhe revolucionit, por edhe nga disponueshmëria e re e pambukut, falë zgjerimit të tregtisë së skllevërve amerikanë, si dhe nga interesi në rritje për fustanet greke, që promovonin lirinë si vlerë shoqërore”, ka thënë ajo.
Megjithatë, është e pamundur të shihet rritja e famës së fustanit transparent pa e lidhur atë me përhapjen masive të barnave GLP-1, që janë ilaçe të diabetit por që po përdoren për humbje peshe, edhe nëse disenjatorë si Allen, Gaia, Smith, Cowan dhe Dilara Findikoglu, krijuesja e fustanit “Botticelli” të Foxit, i kanë dizajnuar këto veshje që në kulmin e lëvizjes së pozitivitetit trupor, tre vjet më parë.
Fustanet moderne që ngjiten për trup u shfaqën fillimisht në vitet 1920 dhe 1930, kur disenjatore si Madeleine Vionnet dhe Coco Chanel krijuan fustane të prera në diagonale që theksonin siluetën trupore, me funde më të shkurtra që nxirrnin në pah këmbët.
Në të njëjtën kohë, në sfond, fashizmi po ngrihej në Evropë dhe shtypja e vlerave liberale shoqërohej me fokus të ri te trupi i hollë dhe i disiplinuar fizikisht.
Ndërkohë që idealet konservatore po rikthehen dhe trupat e të famshmeve po duken gjithnjë e më të hollë, ekziston rreziku që vetë trupi të shndërrohet në një trend mode, më vete, dhe jo thjesht një stil apo siluetë veshjeje.
Ani pse shumë disenjatorë të fustanit transparent përfshijnë trupa të ndryshëm në krijimet e tyre, dhe disa prej tyre janë ndër të paktët që ende mbeten të përkushtuar ndaj diversitetit trupor në pasarela, ato që i veshin më shpesh këto fustane janë zakonisht gra shumë të holla.
Sipas Gaias, përdorimi i trupave të hollë në këto veshje nuk lidhet vetëm me përdorimin e barnave GLP-1, por edhe për shkak të kostos së lartë të krijimit dhe të marketingut të veshjeve për masa të mëdha, përfshirë provat dhe imazhet për shitje online. (Brendi e tij ofron masa deri në 18/20.)
“Është shumë e ndërlikuar dhe nuk është vetëm Ozempic që luan rol. Pa diskutim, supremacia e bardhë, adhurimi i trupit të hollë dhe gjithçka që lidhet me të kanë ndikim. Por, në fund, gjithçka lidhet edhe me paratë”, ka thënë ai.
Se a do të mbetet në trend fustani transparent, ndoshta kjo varet nga mënyra se si interpretohet fustani më ekstrem i vitit: copëza transparente e najlonit që Bianca Censori, gruaja e reperit Kanye West, e veshi në tepihun e kuq të ceremonisë së ndarjes së çmimeve “Grammy” në muajin shkurt. Duhej përqendrim i fortë për të dalluar vijat e fustanit dhe pothuajse çdo media publikoi fotografi të saj të mjegulluara.
“Lakuriqësia relative e trupit të gruas mund të perceptohet, ose të synohet, sikur çlirim, por mund të shihet edhe si objektivizim. Kur shikon disa nga partneret e burrave të famshëm që shfaqen gjysmë të zhveshura pranë tyre në tapetin e kuq, mendoj se ato po e paraqesin veten si objekte seksuale për partnerët. Në raste të tjera, mendoj se ato janë plotësisht në kontroll të asaj që po bëjnë”, ka thënë Steele.
A ishte Censori thjesht një objekt seksual për një publik të etur për lakuriqësi femërore, ndërkohë që pretendon se e urren atë? Apo ishte plotësisht nën kontroll? E vërteta e zhveshur mund të jetë të dyja njëkohësisht.