Nisma e cila kërkon të përshpejtojë krijimin e hartës së plotë me shtretërit e oqeaneve, thotë se një e pesta e kësaj detyre tashmë është kompletuar, shkruan BBC-ja të hënën.
Kur nisi Projekti i Fondacionit Nippon-GEBCO 2030 në vitin 2017, vetëm 6% e fundit të oqeanit ishte hulumtuar me standarde moderne.
Tani ai numër është 19% nga 15% sa ishte vitin e kaluar, transmeton KOHA.
“Sot qëndrojmë në 19% të hartimit. Dhe kjo do të thotë se na ka mbetur edhe 81% e sipërfaqes së oqeaneve që duhet hulumtuar dhe hartuar. Kjo përfshinë një hapësirë që është rreth dyfishi i madhësisë së planetit Mars, të cilën duhet ta hartojmë deri në dekadën e ardhshme”, tha drejtori i projektit Jamie McMichael-Phillips për BBC-në.
Harta paraqet disa rajone, ku vendet me ngjyrë të zezë duhen ende të maten, për të parë formën e shtratit të oqeanit. Të kaltrat tregojnë thellësinë e detit, (vjollca tregon thellësitë më të madhe, ndërsa e kaltra e çelët më të vogla).
Hartat më të mira na duhen për disa arsye. Së pari, për navigacion më të mirë, e pastaj për menaxhimin e peshkimit dhe konservimin, sepse nën ato kodra nënujore gjallesat e egra mblidhen më së shumti.
Gjithashtu, shtrati i detit ndikon në rryma të oqeaneve.
Këto informata janë të nevojshme për të paraparë të ardhmen e ndryshimeve klimatike. Gjithashtu nëse dëshirojmë të dimë më shumë për rritjen e niveleve të detit, hartat e shtratit të oqeaneve janë gjë e domosdoshme.
General Bathymetric Chart of the Oceans (GEBCO) është e vetmja organizatë ndërqeveritare me mandat që të hartojë të gjithë shtratin e oqeanit.