Autoritetet në një nga qendrat urbane më të populluara të Filipineve po ofrojnë shpërblim me para për qytetarët që eliminojnë mushkonjat, në përpjekje për ta parandaluar përhapjen e etheve të dengës, raporton “BBC”.
Carlito Cernal, shefi i fshatit të Barangay Addition Hills, ka njoftuar për një shpërblim prej një peso (afro 1 cent e gjysmë) për çdo pesë mushkonja të eliminuara, pasi dy studentë në lagjen e tij vdiqën nga ethet e dengës.
Cernal tha se kjo iniciativë ka synim që t’i plotësojë mëtutje masat ekzistuese të tilla si pastrimi i rrugëve dhe parandalimi i grumbullimit të ujit, ku mushkonjat që mbartin dengën lëshojnë vezët e tyre.
Shpërblimi vlen si për kapjen e mushkonjave të gjalla ashtu edhe për të ngordhurat dhe larvat e tyre, shtoi Cernal. Mushkonjat e gjalla do të eliminohen duke përdorur rrezet ultravjollcë.
Departamenti i Shëndetësisë i Filipineve (DOH) tha për BBC-në se “vlerëson qëllimet e mira të drejtuesve të qeverisë lokale për ta luftuar dengën”.
Kjo iniciativë ka shkaktuar edhe tallje nëpër rrjetet sociale.
“Po vjen kultivimi i mushkonjave”, është thënë në komentin e një personi në rrjete sociale.
Në Barangay Addition Hills jetojnë afro 70 mijë banorë në një hapësirë rreth 162 hektarë. Atje janë regjistruar 44 raste të infeksioneve me dengë.
Autoritetet e Filipineve tha se deri më 1 shkurt janë regjistruar 28 mijë e 234 raste me dengë, rritje prej 40 për qind nga viti i kaluar.