Pasi humbi shtëpinë e saj nga një zjarr, Jo Ann Ussery kishte një ide të veçantë: të jetonte në një aeroplan.
Ajo bleu një aeroplan “Boeing 727” të vjetër që ishte i destinuar për deponi mbeturinash. E çoi në tokën që e kishte në pronësi dhe kaloi gjashtë muaj duke e rinovuar. Shumicën e punëve i kreu vetë. Në fund, ajo kishte një shtëpi plotësisht funksionale, me mbi 1500 metra katrorë hapësirë ndenjeje, tre dhoma gjumi, dy banja dhe madje edhe një vaskë të nxehtë – aty ku dikur ishte kabina e pilotit. Të gjitha për më pak se 30 mijë dollarë atë kohë, e që sot thuhet se kanë vlerën e 60,000 dollarëve, shkruan CNN.
Ajo jetoi në këtë aeroplan nga viti 1995 deri në vitin 1999, derisa kur u dëmtua pasi ra nga kamioni që po e zhvendoste në një vend tjetër pranë, ku planifikohej të ishte i hapur për ekspozim publik.

Edhe pse nuk ishte personi i parë që jetoi në një aeroplan, ekzekutimi i projektit frymëzoi të tjerët. Në fund të viteve të ’90-a, Bruce Campbell, një inxhinier me licencë private të pilotimit, u mahnit nga historia e saj. “Po ngisja makinën në shtëpi dhe po dëgjoja radion ku ishin duke transmetuar historinë e Jo Annës dhe është e mahnitshme që nuk dola nga rruga, sepse tërë fokusi im u kthye te historia e saj. Dhe të nesërmen në mëngjes po bëja telefonata”, ka thënë Campbelli.

Campbelli tani është duke jetuar në aeroplanin e tij - gjithashtu një “Boeing 727” - për më shumë se 20 vjet, në pyjet e Hillsboro, Oregon. Ai nuk është penduar. “Nuk do të jetoja kurrë në një shtëpi tradicionale”, ka shtuar Campbelli.
Projekti i tij kushtoi 220,000 dollarë në total (rreth 380,000 dollarë në paratë e sotme), ku afërsisht gjysma ishte shpenzuar për blerjen e avionit. Ai thotë se avioni i përkiste “Olympic Airways” në Greqi dhe madje ishte përdorur për të transportuar eshtrat e pronarit të kësaj linje ajrore, Aristotle Onassis, në vitin 1975.

Campbellit iu desh të punonte në aeroplan për disa vite përpara se të mund të jetonte në të. Ambientet e brendshme ishin të pazbukuruara, me një dush primitiv të bërë nga një cilindër plastik, dhe një divan për shtrat. Campbelli shpesh pret vizitorë dhe madje ofron strehim pa pagesë në avion, kurse gjatë verës mban evente të mëdha publike me atraksione argëtimi.
