Kuriozitet

Një grua në Spanjë pushohet pse shkonte herët në punë

grua

Një punonjëse në Spanjë, identiteti i së cilës nuk është bërë publik, është pushuar nga puna për shkak se shkonte 40 minuta para orarit zyrtar në zyrë. Para largimit nga puna, ajo ishte paralajmëruar disa herë, si me gojë ashtu edhe me shkrim, që të mos paraqitej në punë para orës 07:30, kohë kur fillon orari i punës.

Bëhet fjalë për një 22-vjeçare që punonte në logjistikë, e cila prej dy vjetësh vinte më herët se orari. Ajo ishte paralajmëruar të paktën 19 herë për të mos e përsëritur këtë veprim. Për eprorin, kjo përbënte shkelje të rregullave të punës. Përveç kësaj, kompania e akuzoi punonjësen edhe për shitjen e një baterie të përdorur të veturës së kompanisë pa autorizim.

Punonjësja u ankua në gjykatën e Alicantes, duke pretenduar se ishte larguar padrejtësisht. Por gjykata vendosi në favor të punëdhënësit, duke konkluduar se problemi nuk ishte “te korrektësia e orarit”, por këmbëngulja e saj për të mos respektuar rregullat – një shkelje e rëndë sipas nenit 54 të Kodit të Punës në Spanjë.

Ky rast ka ndarë opinionin publik spanjoll, ndërsa ekspertët thonë se kompanitë kanë të drejtë të zbatojnë rregullat e orarit të punës. Ekziston mundësia që punonjësja ta çojë rastin në Gjykatën e Lartë në Valencia.