Teksa liderët e NATO-s janë mbledhur në Madrid për një samit nën hijen e pushtimit rus të Ukrainës, në qendër të vëmendjes ka rënë një ushqim interesant që gjendet në bare dhe restorante në të gjithë Spanjën: sallata ruse.
Zyrtarët dhe gazetarët ndërkombëtarë mbetën të habitur kur panë sallatën – një kombinim i patateve, majonezit dhe perimeve e njohur si “ensaladilla Rusa” – që shitej si “sallatë me patate e stilit rus” në samit.
“Sallatë ruse në samitin e NATO-s? Jam pak i befasuar nga përzgjedhja e ushqimit”, ka thënë gazetari Inaki Lopez për gazetën spanjolle Sexta, të enjten.
Ndërsa emri bëri pak për t’ia ulur popullaritetin – ushqimi raportohet se u shit brenda orësh – brenda një ditë u riemërua, ku në meny tani listohet si “sallatë tradicionale”.
Kuzhinieri spanjoll Jose Andres bëri një hap përpara, duke shtuar domate dhe duke e quajtur sallatë ukrainase në shenjë solidariteti në darkën që u organizua për ministrat e mbrojtjes dhe të jashtëm.
Nuk është hera e parë që ushqimi spanjoll bie pre e politikës. Gjatë periudhës së Francisco Francos, baret dhe restorantet shpesh ndryshonin emrat në “sallatë kombëtare”, për t’iu shmangur lidhjes me propagandën pro-komuniste.