Kreu i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se Aleanca do të mbrohet ndaj çdo kërcënimi në hapësirë, pas raportimeve se Rusia po përgatitet të lëshojë një satelit të pajisur me armë bërthamore.
Sipas mediave gjermane, këtë muaj vendet anëtare të NATO-s kanë shkëmbyer raporte të inteligjencës për një lëshim të mundshëm të satelitit brenda 60 ditëve të ardhshme. Nuk është bërë e ditur se cili shtet i ka hartuar këto raporte.
“Ne do të sigurohemi gjithmonë që të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s. Kjo përfshin edhe garantimin e sigurisë sonë në aspektin e hapësirës”, ka thënë Rutte i pyetur për këto informacione.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se nuk i kishte parë raportet më të fundit, por hodhi poshtë informacionet që u referoheshin “burimeve të panjohura”, duke i cilësuar si “vështirë të denja për t'u marrë seriozisht”.
Ndërkaq, ambasada ruse në Berlin u ka thënë mediave gjermane se i kundërshtonte ato që i ka quajtur “akuza të pabazuara”, duke shtuar se raportimet ishin pjesë e një “fushate propagandistike”.
Gjatë konferencës për shtyp në Berlin, Rutte ka thënë se NATO-ja ka në dispozicion një sërë mundësish për t'iu përgjigjur kërcënimeve të tilla.
“Sa i përket fushës ushtarake, ne do të vazhdojmë të vlerësojmë masat tona të parandalimit dhe mbrojtjes, si dhe t'i përditësojmë ato kur të jetë e nevojshme”, ka deklaruar ai.
Duke iu referuar burimeve anonime ushtarake dhe të inteligjencës gjermane, transmetuesit NDR dhe WDR, si dhe gazeta Sueddeutsche Zeitung, kanë raportuar se sateliti rus mban emrin “Sputnik-S” dhe është i pajisur me një kokë bërthamore.
Sipas raportimeve, ai mund të përdoret për të ndërprerë funksionimin ose për të shkatërruar satelitë të tjerë, përfshirë satelitë të rëndësishëm të komunikimit dhe vëzhgimit.