Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Samiti i mbajtur i NATO-s u mbyll me një komunikatë të përbashkët, në të cilën liderët riafirmuan angazhimin për mbrojtjen kolektive, mbështetjen për Ukrainën dhe forcimin e aleancës. Në deklaratë, Rusia cilësohet si kërcënimi afatgjatë për sigurinë euroatlantike, ndërsa theksohet synimi për një NATO më të fortë dhe më të modernizuar.

Trumpi propozon që Ukrainës t’i jepet licenca për prodhimin e raketave “Patriot”

6 d. më parë / 8 kor 2026 17:29
tr

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë të mërkurën se do të diskutojë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyn për t’ia dhënë vendit mundësinë për t’i prodhuar vetë sistemet mbrojtëse raketore“Patriot”. 

"Ne do t'u japim atyre të drejtën për të prodhuar 'Patriot'. Ne do t'u tregojmë atyre se si ta bëjnë këtë", ka thënë Trumpi.

Paraprakisht, Trumpi theksoi se SHBA-ja do të jap një licencë për sistemet e tyre të mbrojtjes ajrore “Patriot” që do të prodhohen jashtë vendit për Ukrainën, për t'iu kundërvënë sulmeve raketore ruse, një sukses i madh për Ukrainën, e cila ka pasur shumë nevojë për teknologjinë në luftën që tani është në vitin e saj të pestë.

Trumpi e lavdëroi Zelenskyn se "ka bërë një punë të mrekullueshme" dhe "ka qenë shumë efektiv" në luftë.

Zelensky ka kërkuar prej kohësh më shumë nga sistemet e mbrojtjes, të cilat janë të shtrenjta, me kërkesë të lartë dhe kërkojnë shumë kohë për t'u prodhuar. Ai ka bërë presion që Ukrainës t'i jepet një licencë për të prodhuar teknologjinë.
 

Rutte: NATO-ja s’ka qenë kurrë më e fortë

6 d. më parë / 8 kor 2026 16:03
Mark Rutte

Photo: Associated Press

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se aleanca nuk ka qenë kurrë më e fortë. 

Sipas tij, Samiti në Ankara të Turqisë ka qenë jashtëzakonisht i suksesshëm dhe ka treguar unitet. 

“Aleatët e mirëpritën ngrohtësisht udhëheqjen e presidentit Trump që po e transformon këtë aleancë dhe po e bën më të fortë”, ka thënë Rutte, raportoi “The Guardian”.

Rutte ka vlerësuar se NATO-ja po e ribalancon aleancën për të mirë me Trumpin që zgjidhi “çështjen e madhe” lidhur me shpenzimet, me evropianët dhe Kanadanë që po merren me këtë detyrë.

Ai tha gjithashtu se aleatët “riafirmuan mbështetjen e palëkundur të NATO-s për Ukrainën dhe vendosmërinë e saj për të vazhduar të sigurojë që Ukraina të marrë atë që i nevojitet”, si dhe angazhimin e tyre ndaj Nenit 5.

Trumpi: Flasim më rrallë me Putinin, dëshiron ta përfundojë shpejt luftën

6 d. më parë / 8 kor 2026 15:47
Zelensky

Photo: Associated Press

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump dhe ai i Ukrainës Volodymyr Zelensky u takuan në Ankara të Turqisë, në margjinat e Samitit të NATO-s 2026.

Pas takimit ata dolën para gazetarëve dhe iu përgjigjën pyetjeve të mediave.

Trumpi u pyet për sulmet e Ukrainës thellë në territorin rus. Fillimisht ai ia kaloi fjalën sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, i cili tha se këto sulme kanë ndryshuar dinamikën e luftës.

Më pas, deklaroi se “është një përshkallëzim, por është gjithashtu një përshkallëzim që mund të ndihmojë për t’i dhënë fund luftës.”

Ai shtoi se beson se të dyja palët dëshirojnë të arrijnë një marrëveshje, duke thënë se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, me siguri “do të donte t’i kthehej rindërtimit të vendit të tij, në vend të gjithë kësaj vdekjeje dhe shkatërrimi.”

Zelensky u përgjigj shkurt: “Sigurisht.”

Trumpi vazhdoi duke thënë se Ukraina ka potencial të jashtëzakonshëm, ndërsa theksoi se Shtetet e Bashkuara kanë interes në suksesin e saj, duke iu referuar marrëveshjes për mineralet.

Presidenti amerikan, Donald Trump, u tha gazetarëve se më vonë gjatë ditës planifikon të zhvillojë një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe i pyeti ata se çfarë do të donin ta pyeste.

Gazetarët sugjeruan pyetjen: “Kur do ta përfundojë këtë luftë?”

Trump u përgjigj me shaka:

“Nuk besoj se ia kam bërë ndonjëherë atë pyetje.”

Ai shtoi se, sipas tij, Putini “dëshiron ta përfundojë luftën shpejt” dhe “sa më shpejt që të jetë e mundur.”

“Flas shumë me të. Tani pak më rrallë, por marrëdhënia është shumë e mirë”, deklaroi Trump.

Ai gjithashtu deklaroi se ka qenë “i ashpër ndaj Rusisë, shumë më i ashpër sesa pritej.”

Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se nuk është i sigurt se cilat janë kushtet e Putinit për të pranuar një marrëveshje paqeje, duke shtuar se ato po ndryshojnë ndërsa ushtria ukrainase po forcohet.

Ai tha se Ukraina dëshiron “ta zhvendosë këtë luftë në qiell, larg fushëbetejës”, duke theksuar se kjo e ndihmon të ketë kontroll më të madh mbi situatën në terren.

I pyetur nëse është i gatshëm të vendosë sanksione të tjera ndaj Rusisë, Trump tha se “ka shumë presion mbi presidentin Putin”, duke shtuar:

“Nuk besoj se atij i pëlqen ajo që po ndodh.”

Në pyetjen nëse Shtetet e Bashkuara janë të gatshme t’i ofrojnë Ukrainës garanci sigurie, Trump u përgjigj:

“Ne duam ta bëjmë këtë, duam ta bëjmë për të shpëtuar jetë... Unë po përpiqem të shpëtoj jetë.”

Samiti i ardhshëm i NATO-s do të mbahet në Shqipëri

6 d. më parë / 8 kor 2026 15:42
Edi Rama dhe Mark Rutte

Pavarësisht dyshimeve, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka konfirmuar se samiti i ardhshëm i NATO-s do të mbahet në Tiranë.

Me një video në rrjetet sociale nga Ankaraja, aty ku po mbahet samiti i sivjetmë i aleancës veriatlantike, Rama ka ironizuar me raportimet se samiti i NATO-s në Tiranë është në dyshim, duke shtuar se ka ikur koha kur “të tjerët bënin ç’të donin me Shqipërinë”.

“Po si thanë që samiti nuk do të bëhet në Shqipëri? Kështu thanë ë? Epo, ka ikur ajo kohë. Ka ikur ajo kohë kur të tjerë bënin ç’të donin me Shqipërinë. Tash, Shqipëria bën atë që thotë dhe thotë atë që bën... kështu që samiti i ardhshëm do të jetë në Tiranë”, ka thënë Rama.

Samitin e planifikuar në Shqipëri e konfirmoi edhe sekretari gjeneral i NATO-s, Mark Rutte. 

Një javë më parë, Reuters raportoi se samiti i ardhshëm i NATO-s, i planifikuar të mbahet në Shqipëri, është në pikëpyetje për shkak të shpenzimeve të ulëta për mbrojtjen nga vendet anëtare dhe shmangien e një përplasjeje me presidentin amerikan Donald Trump.

NATO-ja zakonisht mban samit një herë në vit.

Deklarata e përbashkët e liderëve të NATO-s: Sulmi ndaj njërit, sulm ndaj të gjithëve

6 d. më parë / 8 kor 2026 15:33
Samiti i NATO

NATO-ja ka publikuar komunikatën përfundimtare të samitit, deklaratën e përbashkët të liderëve pas bisedimeve të sotme.

Liderët theksuan se dëshirojnë të rikonfirmojnë angazhimin e tyre të palëkundur për mbrojtjen kolektive sipas Nenit 5 të Traktatit të Uashingtonit dhe për lidhjen transatlantike.

“Sulmi ndaj njërit është sulm ndaj të gjithëve.”

Në dokument, Rusia cilësohet qartë si “kërcënimi afatgjatë” për sigurinë dhe stabilitetin euroatlantik.

Komunikata përmban gjithashtu një paragraf mbështetës për Ukrainën, ku thuhet se ajo kontribuon në sigurinë transatlantike, ndërsa liderët zotohen për mbështetje të palëkundur ndaj Kievit në mbrojtjen e lirisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të tij.

Po ashtu, liderët shprehën synimin për të ndërtuar “një Evropë më të fortë brenda një NATO-je më të fortë, një aleancë të modernizuar”, duke theksuar se parandalimi dhe mbrojtja e saj do të mbështeten në një kombinim të përshtatshëm të kapaciteteve bërthamore, konvencionale dhe të mbrojtjes nga raketat, të plotësuara me aftësi në hapësirë dhe në fushën kibernetike.

Deklarata e plotë e NATO-s:

- Ne, Krerët e Shteteve dhe të Qeverive të Aleancës së Atlantikut të Veriut, jemi mbledhur në Ankara për të riafirmuar angazhimin tonë të palëkundur ndaj mbrojtjes sonë kolektive sipas Nenit 5 të Traktatit të Uashingtonit dhe ndaj lidhjes transatlantike. Një sulm ndaj njërit është sulm ndaj të gjithëve. Uniteti, solidariteti dhe forca jonë kolektive mbeten themeli i paqes, sigurisë dhe prosperitetit për një miliard qytetarët e Aleancës sonë të kombeve të lira dhe demokratike. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj qasjes sonë 360-gradëshe për parandalimin dhe mbrojtjen.

- Për t’iu kundërvënë kërcënimit afatgjatë që Rusia paraqet për sigurinë dhe stabilitetin euro-atlantik, si dhe kërcënimit të vazhdueshëm të terrorizmit, Aleatët po zbatojnë angazhimin për mbrojtjen të miratuar në Hagë. Gjatë vitit 2025, Aleatët evropianë dhe Kanadaja rritën investimet e tyre në kërkesat themelore të mbrojtjes me më shumë se 139 miliardë dollarë. Investimet tona po sigurojnë kapacitetet që na nevojiten, ndërkohë që forcojnë bazën tonë industriale dhe qëndrueshmërinë. Sot, në Ankara, ne shpallim më shumë se 50 miliardë dollarë në prokurime të reja dhe angazhohemi të zgjerojmë kapacitetin kolektiv prodhues dhe të bashkëpunojmë me industrinë për të përshpejtuar inovacionin. Ne do të vazhdojmë punën për eliminimin e barrierave në tregtinë e mbrojtjes ndërmjet Aleatëve dhe për të shfrytëzuar partneritetet e NATO-s me qëllim maksimizimin e kapaciteteve industriale të mbrojtjes dhe bashkëpunimit.

- Ne po ndërtojmë të ardhmen: një Evropë më të fortë brenda një NATO-je më të fortë, një Aleancë të modernizuar. Aleatët evropianë dhe Kanadaja, duke bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara, po marrin përgjegjësi më të madhe për mbrojtjen e Aleancës. Parandalimi dhe mbrojtja e NATO-s mbështeten në një kombinim të përshtatshëm të kapaciteteve bërthamore, konvencionale dhe të mbrojtjes nga raketat, të plotësuara nga kapacitetet në hapësirë dhe në fushën kibernetike. Ne jemi të përkushtuar për të ruajtur epërsinë tonë ushtarake. Po investojmë në aftësinë tonë për të dislokuar, mbështetur dhe mbajtur në gatishmëri forcat tona të armatosura dhe për të përmbushur objektivat tona të kapaciteteve në të gjitha fushat, përfshirë goditjet precize në thellësi, mbrojtjen e integruar ajrore dhe raketore, sistemet pa ekuipazh, teknologjitë më të avancuara dhe kapacitetet e inteligjencës.

- Ukraina kontribuon në sigurinë transatlantike dhe Aleatët qëndrojnë të bashkuar në mbështetjen e tyre të palëkundur për Ukrainën në mbrojtje të lirisë, sovranitetit dhe integritetit të saj territorial. Aleatët evropianë dhe Kanadaja tashmë financojnë pjesën më të madhe të ndihmës së sigurisë për Ukrainën përmes mekanizmave dypalësh dhe shumëpalësh. Aleatët theksojnë se kjo mbështetje duhet të jetë e drejtë, e parashikueshme dhe e qëndrueshme në afat të gjatë. Për vitin 2026, Aleatët zotohen të ofrojnë 70 miliardë euro në pajisje ushtarake, ndihmë dhe trajnim për Ukrainën dhe konfirmojnë angazhimet e tyre sovrane për të ruajtur të paktën të njëjtin nivel mbështetjeje edhe në vitin 2027. Për këtë qëllim, ne mirëpresim vendimin e Bashkimit Evropian për të siguruar financim shumëvjeçar për Ukrainën përmes Kredisë për Mbështetjen e Ukrainës.

- Aleanca vazhdon të reagojë dhe të përshtatet ndaj konkurrencës strategjike, paqëndrueshmërisë së përhapur, kërcënimeve hibride dhe goditjeve të përsëritura që karakterizojnë mjedisin tonë më të gjerë të sigurisë. Aleatët ritheksojnë se Irani nuk duhet të ketë kurrë armë bërthamore dhe i bëjnë thirrje Iranit të respektojë plotësisht lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.

Erdogani u kërkon aleatëve të NATO-s të heqin kufizimet e industrisë së mbrojtjes

6 d. më parë / 8 kor 2026 12:35
Erdogan - Trump

Photo: Associated Press

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thwnw të mërkurën se aleatët e NATO-s duhet të heqin kufizimet në industrinë e mbrojtjes midis tyre, duke këmbëngulur që Ankaraja të ndërhyjë në disa nisma vetëm për Evropën.

“Kufizimet midis aleatëve në bashkëpunimin në mbrojtje, veçanërisht në industrinë e mbrojtjes, duhet të hiqen”, ka thwnw Erdogani në hapjen e Samitit të liderëve të NATO-s në Ankara, raportoi Reuters.

Të martën, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ulur përkrah Erdoganit, tha se do të hiqte sanksionet ndaj Turqisë dhe do të merrte vendim për një shitje të mundshme të avionëve F-35.

Turqia ka ushtrinë e dytë më të madhe në NATO dhe është shfaqur si zhvilluese dhe eksportuese e madhe e armëve. 

Erdogani ka shtuar se Turqia ishte në rrugën e duhur për të arritur objektivin e NATO-s prej 5% të shpenzimeve të mbrojtjes deri në vitin 2030 dhe se ka ndarë një buxhet shtesë prej 24 miliardë dollarësh për projektin e saj të mbrojtjes ajrore "Kupola e Çelikut" për të forcuar mbrojtjen ajrore dhe raketore të NATO-s.

Ai shtoi se aleatët duhet të marrin më shumë përgjegjësi në mbrojtjen e bllokut pa penguar unitetin e aleancës.

Kryeministrja daneze zotohet për mbrojtjen e Grenlandës

6 d. më parë / 8 kor 2026 10:23
Mette Frederiksen

Photo: Associated Press

Danimarka u zotua të mërkurën të mbrojë territorin e saj pasi presidenti amerikan, Donald Trump këmbënguli përsëri që Shtetet e Bashkuara duhet të kontrollojnë Grenlandën, në prag të samitit të NATO-s që po mbahet në Turqi.

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, tha se vendi i saj është gati të mbrojë çdo centimetër të territorit të shteteve anëtare të NATO-s, përfshirë territorin e tyre në rast të një sulmi dhe se do të mbështetet tek aleatët e NATO-s për të respektuar angazhimin e tyre për të mbrojtur njëri-tjetrin.

“Shpresojmë që të gjithë aleatët do të respektojnë të drejtën e popullit të Grenlandës për vetëvendosje”, tha Frederiksen përpara takimit të udhëheqësve të NATO-s, duke ripërsëritur se Grenlanda nuk është në shitje.

Trump riktheu edhe një herë interesin e tij për Grenlandën në prag të takimit duke këmbëngulur që Shtetet e Bashkuara duhet ta kontrollojnë Grenlandën, territor gjysmëautonom danez.

Trumpi godet NATO-n: Spanja është partnere e tmerrshme

6 d. më parë / 8 kor 2026 10:19
Trumpi godet NATO-n: Spanja është partnere e tmerrshme

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka përsëritur të mërkurën se “nuk është i lumtur me NATO-n, për atë që ka bërë me Grenlandën” dhe për refuzimin që t’i ndihmojnë me Iranin.

Ai ka folur në veçanti edhe për shtetet që kanë refuzuar të ndihmojnë. Këtu ka theksuar Spanjën të cilën e ka quajtur të tmerrshme. Madje ka bërë thirrje për shkëputje të raporteve tregtare me të.

“Spanja është partnere e tmerrshme në NATO. Ata nuk marrin pjesë, ata nuk paguajnë. Nuk dua asgjë që ka të bëjë me Spanjën. Shkëputni të gjithë tregtinë me Spanjën, përfshirë vizitat. Nuk duam asgjë. Le t’i shohim tek vrapojnë për t’u kthyer”, ka thënë ai në ditën e dytë të Samitit të NATO-s në Ankara.

Për Grenlandën ai ka thënë se NATO-ja nuk e ka trajtuar mirë SHBA-në. tek ka shprehur zhgënjim, Trumpi ka thënë se “Grenlanda është problem i madh” duke shtuar se SHBA-ja po paguan shumë për t’i mbrojtur shtetet nga Rusia e s’po merr asgjë në këmbim. 

12 shtete planifikojnë 50 miliardë dollarë raketa për të mbrojtur Evropën

6 d. më parë / 8 kor 2026 09:31
Keir Starmer

Photo: Associated Press

12 shtete të NATO-s pritet të shpenzojnë më shumë se 50 miliardë dollarë në 10 vjetët e ardhshme për raketa me rreze të gjatë, për të mbrojtur Evropën.

Projekti i njohur si “Goditja e thellë precize” pritet të diskutohet më vonë të mërkurën në samitin që NATO-ja po e mban në Ankara.

E planifikuar si një prej mbrojtjeve më të forta të NATO-s, këto armë kanë mundësi që të godasin caqet deri 300 kilometra larg.

Sipas kryeministrit të dorëhequr britanik, Keir Starmer, iniciativa “do të ndihmojë evropianët të mbajnë NATO-n e sigurt edhe për vite të tëra”.

Ky projekt nuk pritet të finalizohet deri në vitin 20230.

Në qershor, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, pati njoftuar se SHBA-ja do të rishikojë praninë e forcave amerikane në Evropë.

Presidenti Donald Trump e ka përsëritur disa herë se dëshiron që anëtarët e NATO-s të shpenzojnë deri 5 për qind të bruto produktit të brendshëm në mbrojtje dhe siguri deri më 2035.