Kuriozitet

Në Keni fekalet njerëzore po kthehen në lëndë djegëse fitimprurëse

Një kamion plot me fekale njerëzore do të kthehet së shpejti në lëndë djegëse.

Kamionët e sjellin materialin në ndërmarrje “Sanivation”, e cila ndodhet në Naivasha, 100 kilometra nga Nairobi, kryeqyteti i Kenias.

Ky duket si një burim i pamundur për përgatitjen e ushqimit dhe ngrohjen e shtëpive, por kjo përzierje e pakëndshme do të trajtohet dhe do të kthehet në produkt fitimprurës.

"Fillimisht, ishte shumë e vështirë për ne të rriteshim e zgjeroheshim. Njerëzit mendonin se produkti kishte shumë erë, por nuk është kështu, sepse ne i trajtojmë shumë mirë fekalet njerëzore për ta bërë produktin final dhe njerëzit do ta përdornin edhe për të bërë grill”, ka thënë Paul Manda, menaxher i fabrikës në “Sanivation”.

Lënda e parë trajtohet përmes ngrohjes në temperatura të larta për të vrarë bakteret dhe më pas përzihet me tallash druri për të bërë briketat.

Produkti është bërë më popullor nga sa prisnin.

"Kështu që kur vendosëm të mendonim për një produkt tjetër, menduam për briketat e tallashit, kemi një kombinim të mbetjeve bujqësore me ato njerëzore. Ky produkt doli në fakt në treg shumë më shpejt se sa mendonim. Pra, aktualisht po shesim më shumë se 120 tonë dhe nuk mund të plotësojmë as kërkesën e tregut”, ka thënë Paul Manda, menaxher i fabrikës në Sanivation.

Largimi i fekaleve njerëzore nga mjedisi dhe shndërrimi i tyre në lëndë djegëse ka përfitime mjedisore.

Sipas statistikave, 41 për qind e keniasve nuk kanë qasje në zgjidhjet bazike sanitare.

Sipas të dhënave nga Programi i Përbashkët i Monitorimit i OBSH-së e UNICEF-it për furnizim me ujë e qasje në kanalizim, vlerësohet se në vitin 2020, 8.5 për qind e popullsisë nuk kanë pasur qasje në rrjetin e kanalizimit.

"Përdorimi i kësaj lënde djegëse është shumë i rëndësishëm për mjedisin për faktin se për çdo ton të përdorur, ne kursejmë 33 drunjë. Mos harroni se po marrim gjithashtu një produkt të padobishëm që njerëzit thjesht e hidhnin, dhe ndoshta është menaxhuar në mënyrë të pasigurt”, ka thënë Paul Manda, menaxher i fabrikës në “Sanivation”.

Ndërmarrja fillimisht synonte familjet si klientë të mundshëm.

Por tani ata furnizojnë fabrika dhe biznese të mëdha. Një e tillë është ferma e luleve “Larmona”.

Ata gatuanin ushqim për punonjësit e tyre dhe për këtë përdornin qymyr dhe dru.

Por, lënda djegëse nga fekalet është më e lirë dhe menaxherja Mary Wangui thotë se stafi i saj ka vënë re edhe përfitime të tjera.

“Kemi kaluar në briketa të cilat janë miqësore me mjedisin sepse nuk prodhojnë tym në krahasim me qymyrin normal dhe drutë. Gjithashtu ka edhe një avantazh tjetër që nuk po ndikon tek kuzhinierët tanë në aspektin shëndetësor, sepse tymi ndikon në shëndetin e punonjësve, por me briketa për momentin nuk kemi kësi telashe”, ka thënë Mary Wangui, ,menaxhere në “Larmona”.

Edhe enët e gatimit thotë se po u qëndrojnë më shumë e gjithashtu tregon se nxehtësia me lëndën djegëse nga fekalet njerëzore po zgjat më shumë sesa me qymyr ose dru.

Sipas Shërbimit Pyjor të Kenias, 82 për qind e popullsisë urbane dhe 34 për qind e popullsisë rurale, sigurojnë energji nga qymyri.

"Briketat janë një alternativë e mirë ndaj qymyrit dhe drurit. Ato përbëhen nga materiale mbeturinash, kështu që zvogëlohet edhe prerja e pyjeve. Nëse bëhen mirë, ato digjen në mënyrë efikase, kështu që lëshojnë më pak emetim të karbonit. Kështu që kjo ka një ndikim shumë të mirë shëndetësor, por edhe ndikim mjedisor në krahasim me mënyrën se si digjet qymyri ose druri", ka thënë Nickson Otieno, shef i kompanisë “Niko Green”.

Nëpërmjet kësaj nisme, kompania në fjalë ka krijuar vende të punës, si dhe ka bindur kompani e biznese që të zgjedhin një burim energjie miqësore me mjedisin.

Përgatiti: Norë Shabani