Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kuriozitet

Leopardët e borës shihen në qytetin kazak gjatë masave kufizuese

Disa leopardë të borës janë parë në afërsi të qytetit kazak Almaty duke ecur në një vend të popullarizuar alpinizmi, që aktualisht është mbyllur në pjesën më të madhe, për shkak të masave kufizuese të aplikuara për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, shkruan agjencia Reuters.

Ekzistojnë vetëm rreth 150 leopardë të borës në Kazakistan, nga një total prej 10 mijë sa thuhet se janë nëpër botë, nëpër Azi Qendrore dhe Jugore. Të klasifikuara si kafshë të rrezikuara nga zhdukja, leopardët e borës rrallë shihen, e veçanërisht brenda qyteteve.

Mirëpo, në javët e fundit së paku tre prej tyre, janë filmuar nga kamerat.

Zoologu Alexey Grachyov, që punon me Fondacionin e Leopardëve të Borës, ka thënë se në malet në afërsi të Almatyt janë vetëm rreth 20 leopardë të borës dhe shumë rrallë shihen.

Leopardi i borës ka gëzof të ngjyrë hiri apo të bardhë dhe shenja të zeza dhe zakonisht gjenden nëpër rajonet malore të Rusisë, Mongolisë, Kinës, Nepalit, Pakistanit e Afganistanit.

Ekziston një keqkuptim se leopardët e borës jetojnë në lartësi të mëdha mbidetare, por në fakt ata jetojnë më afër njerëzve sesa që shumica e njerëzve mendojnë, thotë Graychov.

“Leopardët e borës i janë adaptuar prezencës njerëzore. Çdo leopard bore me gjasë sheh çdo ditë njerëzit, veturat, qytetet, sheh duke shkelur në mjedisin e vet”, thotë Graychov.