Kina po planifikon të dërgojë në çift të ri të pandave gjigante në kopshtin zoologjik të San Diegos, duke përsëritur gjestin e saj të kamotshëm si shenjë miqësie ndaj Shteteve të Bashkuara, pasi pothuajse të gjithë arinjtë e huazuar në kopshtet zoologjike amerikane u kthyen në Kinë kur marrëdhëniet filluan të përkeqësohen mes dy kombeve.
Zyrtarët e kopshtit zoologjik të San Diegos i thanë Associated Press se nëse miratohen gjitha lejet dhe kushtet atëherë dy panda, një mashkull dhe një femër, pritet të mbërrijnë në fund të verës, rreth pesë vjet pasi kopshti zoologjik dërgoi pandat e tij të fundit drejt Kinës.
Ron Swaisgood, drejtor i Ekologjisë së Rimëkëmbjes në Kopshtin Zoologjik të San Diegos, është shprehur i lumtur për ardhjen e pandave në kopsht.
“Jam shumë i emocionuar të njoftoj se në Aleancën e Kafshëve të Egra të Kopshtit Zoologjik në San Diego do të kemi panda gjigante në një të ardhme jo shumë të largët. Fatkeqësisht, nuk kemi një datë të caktuar. Jemi duke punuar ende për këtë me partnerët tanë bashkëpunues në Kinë”.
Në nëntor, presidenti kinez, Xi Jinping rriti shpresat se vendi i tij do të fillonte të dërgonte përsëri panda në SHBA, pasi ai dhe presidenti amerikan Joe Biden morën pjesë në një takim bilateral në Kaliforninë Veriore dhe u zotuan të përpiqen të ulin tensionet.
Kina po shqyrton një çift që përfshin një pasardhëse femër të Bai Yunit dhe Gao Gaon, dy ish-banorët e kopshtit zoologjik, ka treguar Megan Owen nga Aleanca së Kafshëve të Egra të Kopshtit Zoologjik të San Diegos dhe nënkryetare e Shkencës për Ruajtjen e Kafshëve të Egra.
Panda Bai Yun, e cila lindi në robëri në Kinë, jetoi në kopshtin zoologjik për më shumë se 20 vjet dhe lindi gjashtë këlyshë atje.
Ajo dhe i vogli i saj ishin pandat e fundit të kopshtit zoologjik kur u kthyen në Kinë në vitin 2019.
Panda tjetër Gao Gao ka lindur në natyrë në Kinë dhe ka jetuar në kopshtin zoologjik të San Diegos nga viti 2003 deri në vitin 2018, para se të kthehej.
Arinjtë bardh e zi kanë qenë prej kohësh simboli i miqësisë SHBA-Kinë që kur Pekini dhuroi pandat në Kopshtin Zoologjik Kombëtar në Washington DC, në vitin 1972, përpara normalizimit të marrëdhënieve dypalëshe.