Makao, i cili para gati 20 vjetësh ia pati kaluar Las Vegasit si qendra më e madhe e lojërave të fatit në botë, tani po përpiqet të shndërrohet në një qendër kryesore të turizmit shëndetësor.
Rajoni special administrativ i Kinës këtë javë hapi spitalin e parë në një resort që ofron shërbime luksoze mjekësore si kontrolle shëndetësore, skanime të avancuara dhe ndërhyrje estetike, shkruan BBC.
Ky institucion ndodhet në Studio City të Makaos, një resort kazinoje dhe argëtimi me tematikë nga Hollivudi, në pronësi të kompanisë Melco Resorts and Entertainment me bazë në Hong Kong.
Sipas drejtorit ekzekutiv të këtij zinxhiri resortesh, Lawrence Ho, projekti synon të promovojë turizmin mjekësor në Makao, të krijojë vende pune dhe të bashkojë kujdesin shëndetësor me argëtimin nën një çati të vetme.
Sipas Melco Resorts, ky koncept “revolucionar” synon të tërheqë vizitorë rajonalë dhe ndërkombëtarë, duke i nxitur ata të qëndrojnë më gjatë dhe të shpenzojnë më shumë në resort dhe në qytet.
Makao, që tërheq afro 40 milionë vizitorë në vit, ofron një “mundësi të pakrahasueshme” për t’u bërë një destinacion kryesor për turizmin mjekësor, deklaroi kryetari nderi i iRad, Dennis Tam.
Sipas drejtuesit ekzekutiv të Melco Resorts, Lawrence Ho, ky projekt përputhet me planet e Makaos për të diversifikuar ekonominë.
Për vite me radhë, Makao është mbështetur në trashëgiminë e vet si një qendër e fuqishme e lojërave të fatit, duke tërhequr vizitorë nga Kina kontinentale, Hong Kongu dhe pjesë të tjera të Azisë.
Bumi i industrisë së lojërave në Makao nisi në fillim të viteve 2000, kur autoritetet hapën tregun për operatorë të huaj kazinoje. Që prej asaj kohe, rajoni ka tejkaluar Las Vegasin për nga të ardhurat nga lojërat e fatit, por ka hasur vështirësi në zgjerimin e ekonomisë përtej sektorit të argëtimit.
Sot, shumica e të ardhurave të qeverisë së Makaos vjen nga taksat mbi lojërat e fatit.
Pandemia e Covid-19 e goditi rëndë ekonominë e fokusuar te kumari, pasi mbyllja e kazinove solli rënie drastike të të ardhurave. Edhe pse Makao është rikuperuar pjesërisht, autoritetet vazhdojnë të punojnë për të diversifikuar ekonominë, duke nxitur sektorë si kujdesi shëndetësor, teknologjia dhe organizimi i eventeve.
Industria globale e turizmit mjekësor vlerësohet në dhjetëra miliarda dollarë dhe pritet të rritet ndjeshëm gjatë dekadës së ardhshme, sipas vlerësimeve të tregut.
Azia është shfaqur si një qendër kryesore për turizmin mjekësor, me pacientë të pasur që udhëtojnë drejt Koresë së Jugut për ndërhyrje estetike, apo në spitalet private të Singaporit për trajtime të avancuara mjekësore. Spitalet e Indisë janë gjithashtu një destinacion i preferuar për turizmin mjekësor, duke ofruar trajtime më të lira krahasuar me vendet perëndimore.
Ndërkohë, Turqia është bërë e njohur për procedura mjekësore me kosto të përballueshme, përfshirë transplantet dhe stomatologjinë.