Kuriozitet

Gjendet e gjallë gruaja në Tajlandë që besohej se kishte vdekur dhe po bëhej gati për t’u djegur

Tajlandë

Një grua që besohej se ishte e vdekur dhe gati për t'u djegur në një tempull budist në periferi të Bangkokut, Tajlandë, është gjetur e gjallë nga stafi.

Menaxheri i përgjithshëm i tempullit, Pairat Soodthoop, “ishte habitur" kur kishte dëgjuar një trokitje të lehtë nga arkivoli, i ka thënë ai agjencisë së lajmeve Associated Press.

Soodthoop ka thënë se kishte kërkuar që arkivoli të hapej dhe e kishte parë gruan "duke hapur sytë pak dhe duke trokitur anash arkivolit". 

"Ajo duhet të ketë trokitur për një kohë të gjatë", ka thënë ai.

Vëllai i gruas 65-vjeçare ka thënë se zyrtarët vendas i kishin thënë se motra e tij kishte vdekur.

Megjithatë, menaxheri i tempullit është shprehur se vëllai nuk kishte një certifikatë vdekjeje.

Teksa Soodthoop po përpiqej t'i shpjegonte vëllait se si të merrte një certifikatë vdekjeje, stafi i tempullit dëgjoi një trokitje të lehtë që vinte nga brenda arkivolit. 

Me t’u kuptuar që gruaja ishte e gjallë, ajo ishte dërguar menjëherë në spital, ku edhe mjekët e kishin konfirmuar këtë, duke thënë se ajo kishte përjetuar vetëm hipoglicemi të rëndë - një gjendje ku nivelet e sheqerit në gjak bien në mënyrë kritike, thanë raportet lokale.

Mjeku ka përjashtuar mundësinë që ajo të kishte pësuar dështim të frymëmarrjes ose arrest kardiak, sipas raporteve.