Kuriozitet

Gjashtë vjet përkushtim, kaligrafi irakian përfundon dorëshkrimin e Kuranit

ali zaman

Foto: Associated Press

Kaligrafi irakian Ali Zaman e ka përfunduar kryeveprën e tij - një dorëshkrim kolosal të Kuranit, i cili ka kërkuar gjashtë vite pune të përkushtuar për t’u përfunduar.

Vepra përfundimtare përbëhet nga 302 rrotulla të shkruara në të dyja anët, secila me gjatësi 4 metra dhe gjerësi 1.5 metra. Fletët, që i ngjajnë pergamenës së trashë, u prodhuan posaçërisht për Zamanin me një përzierje materialesh tradicionale, përfshirë vezë, niseshte misri dhe shap.

“Sa herë që mendoj për këtë Kuran… më jep një ndjenjë shumë të bukur që Zoti i Madh më dha jetën për të qenë në gjendje ta përfundoja këtë vepër. Ndihem shumë krenar”, ka thënë 54-vjeçari për Associated Press në një xhami në Stamboll, ku ruhet dorëshkrimi.

Kaligrafia islame konsiderohet një nga traditat artistike më të çmuara në botën myslimane. Kjo formë arti shërbeu për të ruajtur dhe zbukuruar librin e shenjtë të Islamit dhe më vonë u përdor gjithashtu për të dekoruar xhami e pallate.

Në Turqi, ajo lulëzoi gjatë periudhës osmane, kur arti mbështetej nga shteti dhe kaligrafët zhvilluan stile të veçanta.

Sot, Stambolli konsiderohet një qendër e rëndësishme e këtij arti, i njohur në turqisht si “hat”.

Eksperti i artit Umit Coskunsu ka thënë se, për shkak të kufizimeve në traditën islame për paraqitjen e figurave njerëzore, kaligrafia u bë një formë qendrore e shprehjes artistike. Ai e përshkruan “hat”-in si një formë adhurimi.

“Arti i hat-it nuk është thjesht kaligrafi; ai shihet si një mënyrë për të adhuruar Zotin dhe për t’iu afruar Atij”, është shprehur Coskunsu.

Zaman ka lindur në Ranya, në rajonin gjysmë-autonom kurd në veri të Irakut.

Ai e zhvendosi familjen e tij në Stamboll në vitin 2017 për të ndjekur projektin e Kuranit dhe për të përmirësuar mjeshtërinë e tij, pasi - siç thotë ai - arti i kaligrafisë vlerësohet më shumë në Turqi sesa në vendlindjen e tij.

Zaman tregon se e zhvilloi interesin për kaligrafinë islame rreth moshës 12-vjeçare, kur u njoh për herë të parë me të në Irak.

“Arti i kaligrafisë ishte shumë tërheqës për mua… ndjeja se mund ta gjeja shpirtin tim në të”, shtoi ai.

Çdo fletë e dorëshkrimit u shkrua plotësisht me dorë. Zaman thotë se punoi nga agimi deri në muzg për një periudhë gjashtëvjeçare, në një dhomë të vogël të rezervuar për të në Xhaminë “Mihrimah Sultan” në Stamboll.

Dorëshkrimi po promovohet si më i madhi në botë, megjithëse ende nuk ka marrë një njohje zyrtare. Sipas "Guinness World Records", Kurani më i madh i shtypur u realizua nga Muzeu i Kuranit të Shenjtë në Mekë, Arabinë Saudite, në mars të vitit 2025.

I biri i Zamanit kujton mungesat e gjata të babait të tij gjatë punës në projekt.

“E shihnim vetëm kur i sillnim ushqim ose kur kthehej në shtëpi natën për të fjetur”, ka treguar Rekar Zaman. “Falë Zotit, tani e shohim më shpesh”.

Dorëshkrimi ruhet në rrotulla të vendosura njëra mbi tjetrën dhe është i mbuluar për t’u mbrojtur nga pluhuri dhe lagështia, në xhaminë ku u krijua.

Dëshira përfundimtare e Zamanit është që vepra t’i kalojë një blerësi që mund ta ekspozojë publikisht.

“Dua që ky Kuran të jetë në një vend - në një muze ose në një hapësirë të veçantë për kaligrafinë - ku të mund të vlerësohet dhe të çmohet”, u shpreh Zaman.