Një burrë 70-vjeçar ka qëlluar për vdekje një ari të murrmë në Francën jugperëndimore, pasi ai e sulmoi dhe e plagosi teksa po dilte për të gjuajtur derr të egër, thonë zyrtarët.
Burri thuhet se ka qëlluar dy herë me pushkë në drejtim të arushës femër, e cila në atë moment endej me të vegjlit e saj, duke e vrarë në çast kafshën.
Mediat lokale raportojnë se burri ka pësuar lëndime të rënda në këmbë, dhe është dërguar në një spital në Toulouse.
Policia tani po heton ngjarjen e pasdites së të shtunës.
Burri, pjesë e një shoqate gjuetie lokale në rajonin Seix të Ariège, ishte kafshuar nga ariu disa herë, duke i shkaktuar dëme në arteriet në këmbët e tij, ka bërë të ditur policia.
Mediat franceze kanë raportuar se burri i sulmuar nga ariu është ende në gjendje të rëndë shëndetësore në spital.
Policia ka njoftuar se ata iu përgjigjën një thirrjeje urgjente rreth orës 15:30 sipas orës lokale, dhe kur mbërritën në vendngjarje, zbuluan ariun e ngordhur vetëm pak metra larg vendit ku gjahtari ishte i plagosur.
Një anëtar i së njëjtës shoqatë gjuetie, ka thënë për uebsajtin lokal të lajmeve La Depeche se ai dëgjoi një thirrje për ndihmë në një radio që grupi përdor gjatë gjuetisë dhe u nis për në skenën e sulmit.
Franca filloi të rifuste arinjtë e murrmë në Pirenej pasi numri i kafshëve ra me shpejtësi në vitet 1990.
Por masa ka ngjallur protesta nga fermerët vendas, të cilët thonë se arinjtë përbëjnë një rrezik për bagëtinë e tyre.