Kuriozitet

Kocka më e vogël ndodhet në vesh e bletët mund t'i njohin fytyrat e njerëzve - fakte që ju habisin

Veshi

A e ke menduar ndonjëherë ku ndodhet kocka më e vogël e trupit apo cila mund të jetë një mënyrë për të humbur kalori jashtë fitnesit e ushtrimeve që të djersin?

Nëse je person që të pëlqejnë faktet argëtuese, atëherë më poshtë gjen disa që me shumë gjasë nuk i ke ditur.

Të përplasësh kokën për muri për një orë djeg 150 kalori

Hulumtime të reja tregojnë se të përplasësh kokën për muri për një orë, mund të djegësh deri në 150 kalori. Nëse nuk dëshiron të humbasësh qeliza të trurit, sigurisht se është më mirë ta shmangësh këtë ide për djegien e kalorive.

Një mënyrë shumë më e sigurt për të djegur 150 kalori është të nxjerrësh qenin për një shëtitje 45-minutëshe. Nëse nuk ke qen, edhe një shëtitje e ngadaltë prej 53 minutash do të djegë të njëjtën sasi kalorish, shkruan The Fact Site.

Ngjyra portokalli u emërua sipas portokallit

Para se portokallet të mbërrinin në Angli në fund të shekullit të 15-të, nuk ekzistonte një fjalë për këtë ngjyrë.

Ajo quhej e verdhë-shafran ose e verdhë-kuqe, në varësi të nuancës, por pasi erdhi fruti i portokallit edhe kjo ngjyrë mori po të njëjtin emër.

Gjarpërinjtë mund të parashikojnë tërmetet

Shumë kafshë janë në gjendje të parashikojnë tërmetet në nivele të ndryshme saktësie. Megjithatë, gjarpërinjtë janë ndër më të besueshmit, pasi mund t’i ndiejnë tërmetet deri në 121 km. Ata madje mund ta ndiejnë një tërmet deri në pesë ditë përpara se të ndodhë.

Kur gjarpërinjtë ndiejnë një tërmet, ata shpesh largohen nga foletë e tyre, edhe nëse temperatura është shumë e ftohtë.

Korbat shpesh mbajnë mëri ndaj njerëzve të caktuar

Korbat janë shumë të zotë në njohjen e fytyrave njerëzore dhe mund t’i mbajnë mend njerëzit për një kohë shumë të gjatë. Kjo mund të jetë një fakt pozitiv ose negativ, në varësi të mënyrës se si sillesh me ta.

Ndërsa korbat mund të na dallojnë, e njëjta gjë nuk është edhe me njerëzit pasi sigurisht është shumë e vështirë të dallojmë një korb nga tjetri.

Cherophobia është frika irracionale nga argëtimi ose lumturia

A i urren të gjitha gjërat argëtuese? Ndoshta ke ‘cherophobia’. Njerëzit me këtë fobi priren të shmangin çdo situatë që të tjerët do ta quanin argëtuese ose të gëzueshme.

Për çdo lexues që vuan nga ‘cherophobia’, ju lutemi ndaloni së lexuari këto fakte argëtuese tani.

Nëse ia ngrini bishtin një kanguri nga toka, ai nuk mund të kërcejë

Kangurët e përdorin bishtin për ekuilibër gjatë kërcimit. Nëse bishti ngrihet, ata humbasin ekuilibrin dhe rrëzohen. Ka raste kur kangurët kanë humbur bishtin dhe ende mund të lëvizin, por iu është dashur shumë kohë të përshtaten dhe mund të lëvizin vetëm distanca të shkurtra!

Bishti nuk shërben vetëm për ekuilibër, ai vepron edhe si një këmbë e tretë, duke i shtyrë përpara po aq sa këmbët e tyre.

Kocka më e vogël në trupin tuaj ndodhet në vesh

E njohur si kocka ‘stapes’, kjo kockë e vogël ka mesatarisht përmasa 0.09 × 0.11 inç (3 × 2.5 mm).

Kocka ‘stapes’ ndodhet në veshin e mesëm te njerëzit dhe shumë kafshë të tjera. Ajo është thelbësore për transmetimin e dridhjeve të zërit drejt veshit të brendshëm.

Një oktapod i porsalindur është sa madhësia e një pleshti

Kur një oktapod hedh vezët për herë të parë, ato janë më të vogla se një kokërr orizi. Vezët janë aq delikate sa duhet të mbikëqyren vazhdimisht.

Kur oktapodët e vegjël dalin nga vezët, ata dalin plotësisht të formuar, por shumë të vegjël. Ata peshojnë vetëm 0.03 gram. Mund të mendosh se kjo i bën të vështirë për t’u parë, por meqë vezët vendosen me dhjetëra mijëra, ato dallohen lehtësisht!

Bletët e mjaltit mund të njohin fytyrat e njerëzve

Për një kohë të gjatë, besohej se vetëm gjitarët me tru të madh mund të dallonin fytyra. Por bleta e thjeshtë e mjaltit e përmbysi këtë teori.

Bletët mund të dallojnë shumë lloje lulesh, ndaj u mendua se ato mund të dallonin edhe njerëzit. Shkencëtarët zbuluan se bletët e mjaltit mund të njohin një fytyrë të njohur, edhe disa ditë pasi janë trajnuar për ta bërë këtë.

Fakt argëtues: Bletët i shohin fytyrat si një përmbledhje prej rreth 5.000 imazhesh individuale apo pak a shumë si pikselë.

Disa insekte dhe zogj të vegjël e shohin botën në lëvizje të ngadalësuar

Kjo ndodh sepse ata përpunojnë më shumë informacion për sekondë sesa kafshët më të mëdha. Kjo u lejon atyre të lëvizin shpejt dhe me saktësi, gjë që është jetike për t’u shpëtuar grabitqarëve.

Ata e përpunojnë informacionin aq shpejt, sa koha për ta duket sikur po ecën ngadalë.

Fakt argëtues: Për disa kafshë më të mëdha ndodh e kundërta. Për shembull, elefantëve u duhet shumë më tepër kohë për të përthithur informacionin dhe për të reaguar ndaj tij.