Kuriozitet

Disa fakte interesante rreth ndërtesave më ikonike të botës

Koloseu

Kur mendoni për ndërtesat më ikonike të botës, mund t’ju vijnë ndër mend struktura të famshme si Kulla Eifel dhe Empire State Building. Pavarësisht nëse i keni vizituar apo jo, ka shumë gjëra që ndoshta nuk i keni ditur për to dhe të tjerat.

Nëse veç u bëtë kureshtarë, në vazhdim gjeni disa fakte shumë interesante për disa nga monumentet më të famshmë të botës.

1. Projektuesi i Kullës Eiffel jetonte në majë të ndërtesës

Shumë pak njerëz lejoheshin të vizitonin apartamentin privat të projektuesit të kullës, Gustave Eiffel, i cili përmbante një piano të madhe, kabinete prej druri dhe mobilie të rehatshme. Ai madje refuzoi edhe shuma të mëdha parash nga parisienë që dëshironin ta merrnin me qira apartamentin, shkruan The Fact Site.

Kur ai ndërroi jetë në vitin 1923, rregullat që ndalonin vizitat e publikut të zakonshëm u respektuan. Por gati njëqind vjet më vonë, në vitin 2015, apartamenti u shndërrua në muze. Turistët që blejnë një biletë për në majë të Kullës Eifel mund të hedhin një sy brenda përmes një dritareje.

2. Më shumë se një mijë elefantë u përfshinë në ndërtimin e Taj Mahal-it

Ndërtimi i Taj Mahal-it në Indi ishte një detyrë kolosale, që zgjati 22 vjet dhe kërkoi më shumë se 20,000 punëtorë. Ajo që është edhe më interesante është numri i elefantëve që ndihmuan në transportimin e materialeve të ndërtimit.

Procesi i ndërtimit filloi në vitin 1631 dhe përdori materiale nga India, Lindja e Mesme dhe Azia Qendrore. Kjo ndërtesë mbresëlënëse u porosit nga Shah Jahan, sundimtar i Perandorisë Mogule, si një homazh për gruan e tij të ndjerë.

Sot, ajo është një sit i njohur i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe konsiderohet një nga Shtatë Mrekullitë e Botës.

3. Empire State Building është ndërtesa më e fotografuar në botë

Universiteti Cornell në Nju Jork arriti në këtë përfundim kur analizoi miliona foto online në vitin 2011.

Dhe kjo nuk duhet të jetë surprisë. Empire State Building është një atraksion i pashmangshëm për vizitorët e “Mollës së Madhe”.

Me 102 kate, është një nga ndërtesat më të larta në Nju Jork dhe renditet lehtësisht ndër 100 ndërtesat më të larta në botë.

4. Kulla e Pizës nuk ishte menduar kurrë të kishte pjerrësinë e saj të famshme

Procesi i ndërtimit filloi në vitin 1173, por Kulla e Pizës filloi të anohej pesë vjet më vonë. Themelet e cekëta dhe toka e paqëndrueshme u përmendën si arsyet kryesore të problemit.

Inxhinierët ndër shekuj kanë provuar të korrigjojnë pjerrtësinë dhe të sigurojnë që Kulla e Pizës të vazhdojë të qëndrojë në këmbë për shumë vite.

Megjithatë, disa përpjekje vetëm e përkeqësuan problemin, duke krijuar shqetësime serioze se kulla mund të shembej.

Në vitin 2001, një projekt i madh inxhinierik e përforcoi kullën, pasi pjerrtësia kishte arritur nivele të rrezikshme. Ekspertët tani besojnë se ajo është e sigurt për më shumë se 200 vite të tjera.

5. Koloseu mund të riparojë vetë dëmtimet e tij

Shkencëtarët e kanë studiuar Koloseun për shekuj, por vetëm në vitin 2017 zbuluan një sekret të jashtëzakonshëm rreth kësaj strukture ikonike.

Duke përzier gëlqere të nxehtë të freskët (gëlqere e sapodalë nga furra) me zhavorr shumë të pastër dhe gëlqere të shuar (që ka qenë e hidratuar për muaj), betoni i përdorur për të ndërtuar Koloseun ka aftësinë të lidhet vetë.

Si rezultat, nëse shfaqet një çarje në beton, ai mund të riparohet vetë brenda pak javësh.

Pavarësisht nëse keni pasur mundësinë t’i vizitoni apo jo, faktet pas këtyre ndërtesave ikonike janë po aq mbresëlënëse sa vetë pamja e tyre.