Kuriozitet

Dinozaurët mund të ishin zhdukur shumë më herët sesa mendohet

Rreth 66 milionë vjet më parë, në gadishullin Jukatan të Meksikës, një asteroid me gjerësi 12 kilometra u përplas me Tokën. Përplasja shkaktoi një shpërthim shumë të madh, përmasat e të cilit është e vështirë të imagjinohen sot. Shpërthimi mund të ishte miliarda herë më i fuqishëm sesa bomba atomike e hedhur në Hiroshima të Japonisë në vitin 1945.

Shumica e kafshëve në kontinentin amerikan mbetën të vdekura në vend. Përplasja shkaktoi cunami të madh në të gjithë botën. Miliarda tonelata pluhur u shpërndanë në atmosferë, duke e zhytur planetin në errësirë. Ky “dimër bërthamor”, po shkaktonte zhdukjen e shumë specieve bimore dhe shtazore.

Ndër këto të fundit, më kryesorët ishin dinozaurët. Por, si po jetonin përpara kësaj katastrofe? Këtë pyetje e shtroi studimi më i ri i botuar në revistën shkencore “Nature Communications”. Studimi mori në shqyrtim 6 familje dinozaurësh, tri prej të cilave ishin mishngrënëse: tiranosauridët, dromaesauridët dhe trodontidët.

Tre të tjerët ishin barngrënës: keratopsidët, hadrosauridët dhe ankilosauridët. Për 5 vjet, studiuesit përpiluan të gjitha informacionet e njohura për këto familje dinozaurësh, duke inventarizuar shumicën e fosileve të njohura, që përfaqësonin më shumë se 1.600 individë nga rreth 250 specie.

Pasi u kategorizua secili fosil, u përdor një model statistikor për ta vlerësuar numrin e specieve, që evoluuan me kalimin e kohës për secilën familje. Në këtë mënyrë ata ishin në gjendje të gjurmonin speciet që u shfaqën të zhdukura midis 160 dhe 66 milionë vjet më parë dhe të vlerësonin sërish për secilën familje, shkallët e specieve – evolucionin e specieve të reja - dhe zhdukjen e tyre me kalimin e kohës.

Të dhënat treguan se numri i specieve ishte në rënie të madhe 10 milionë vjet para përplasjes së asteroidit, kur u shfarosën dinozaurët, transmeton bota.al. Disa specie pësuan rënien më të ndjeshme si ankilosauët dhe keratopsianët. Po çfarë mund ta kishte shkaktuar këtë rënie të madhe?

Njëra teori është ndryshimi i klimës. Në atë kohë, Toka iu nënshtrua një periudhe të ftohtë globale prej 7- 8 gradë celsius.

E dimë që dinozaurët kishin nevojë për klimë të ngrohtë, që metabolizmi i tyre të funksiononte si duhet. Ato nuk ishin kafshë ektermike (me gjak të ftohtë) si krokodilët apo hardhucat, as endotermike (me gjak të ngrohtë), si gjitarët ose zogjtë.

Ato ishin mezotermike, sistem metabolik midis zvarranikëve dhe gjitarëve, ndaj kishin nevojë për klimë të ngrohtë për ta ruajtur temperaturën dhe për t’i kryer kështu funksionet themelore biologjike. Dhe, ajo rënie e ndjeshme e temperaturës globale, duhet të ketë pasur ndikim shumë të fortë mbi ta.

Në këto kushte mbetet një pyetje e madhe: Çfarë do të kishte ndodhur nëse asteroidi nuk do të ishte përplasur? A do të ishin zhdukur dinozaurët gjithsesi, për shkak të rënies që kishte filluar tashmë, apo mund të ishin ringritur?

Studiuesit mendojnë se kjo është e vështirë të thuhet me siguri. Shumë paleontologë besojnë se nëse dinozaurët do të kishin mbijetuar, primatët dhe për këtë arsye edhe njerëzit, nuk do të ishin shfaqur kurrë në Tokë.