Në Britani të Madhe janë të famshme garat me kuaj dhe qentë, por e kamotshme dhe njëlloj magjepsëse është edhe gara me dele. Në distancë prej 250 metrash, me pengesa dhe kthesa, garat e deleve zhvillohen përditë nga maji deri në fund të tetorit çdo vit.
Delja më e shpejt ndonjëherë është Lamborghini, që ka fituar 165 nga 179 garat në vitin 2011, duke vënë rekord “Guinness” për më së shumti gara të fituara nga një dele.
Lamborghini i lindur në janar të 2011-s menjëherë nisi garat dhe e fitoi të parën qysh në prill të atij viti. “Me gjasë i kanë pëlqyer brohoritjet dhe duartrokitjet”, ka shkruar uebfaqja zyrtare e Librit të Rekordeve.
Duke garuar çdo ditë, kjo dele fitoi 92 për qind të garave.
Delet janë kafshë të shpejta që arrijnë shpejtësinë maksimale deri 40 kilometra për orë, ngjashëm sa shpejtësia e atletit rekordmen Usain Bolt.
Emrin kjo dele e ka marrë në bazë të superbrendit të veturave, Lamborghini, që njihet për modelet shumë të shpejta.
Delja pati marrë famë ndërkombëtare pasi mori titullin e “Guinnessit”. Më 2012, një vit pasi fitoi shumicën e garave, kjo dele “u pensionua” për t’u kthyer në fermë.
Deri tash, askush s’ka arritur t’ia kalojë.