Kuriozitet

Cilët qen jetojnë më gjatë?

Studiuesit kanë zbuluar se në përgjithësi qentë e vegjël, me hundë të zgjatur, jetojnë me gjatë, kurse qentë me fytyrë të sheshtë janë më të rrezikuar nga vdekja e hershme.

Pasi u morën parasysh madhësia, forma e fytyrës dhe gjinia, u konkludua se qentë e vegjël femra me hundë të gjatë, priren të jetojnë më gjatë se racat tjera të pastra, duke arritur mesatare prej pak më shumë se 13 vjetësh. Kurse racat me fytyra të sheshta, tipar që është bërë modë viteve të fundit, priren të kenë jetëgjatësi mesatare prej pak mbi 11 vjetësh.

“Përderisa hulumtimi i mëparshëm kishte identifikuar gjininë, formën e fytyrës dhe madhësinë e trupit si faktorë kontribuues në jetëgjatësinë e qenit, askush nuk kishte hulumtuar ndërveprimin midis këtyre tre elementeve apo lidhjen e mundshme midis historisë së evolucionit dhe jetëgjatësisë”, ka thënë Kirsten McMillan nga shoqata bamirëse “Dogs Trust” dhe autore e hulumtimit, raporton “The Guardian”.

McMillani dhe kolegët e saj kanë thënë se i kanë analizuar të dhënat nga 584,734 qen të racës së pastër dhe të përzier (284,734 prej të cilëve kishin ngordhur), të mbledhura nga 18 organizata, duke përfshirë edhe organizatat e strehimit dhe të mirëqenies, regjistrat e racave dhe kompanitë e sigurimit të kafshëve shtëpiake.

Duke marrë parasysh të gjitha racat dhe përzierjet, ekipi zbuloi se jetëgjatësia mesatarëve e qenve ishte 12 vjet e gjysmë. Qentë femra jetonin më gjatë se qentë meshkuj.

Ekipi gjithashtu studioi qentë nga 155 raca të pastra, duke zbuluar se qentë e mëdhenj priren të kenë jetë më të shkurtër sesa qentë e vegjël, ku edhe gjatësia e hundës kishte rëndësi.

Nga hulumtimi, u pa se raca e njohur si ‘dachshund’ kishte jetëgjatësi mesatare prej 14 vjetësh, kurse bulldogët francezë prej 9.8 vjetësh. Ekspertët kanë thënë prej kohësh se racat me fytyrë të rrafshët janë të prirë të kenë sërë problemesh shëndetësore duke përfshirë problemet me frymëmarrje dhe ato të lëkurës.

Qeni kaukazian ishte më jetëshkurtri me mesatare prej vetëm 5.4 vjetësh.

U zbulua se jetëgjatësia mesatare për racat e pastra ishte më e gjatë sesa e atyre të përzier, përkatësisht 12.7 vjet dhe 12 vjet, rezultat ky që bie në kundërshtim me idenë se përzierjet mund të jenë më të shëndetshme sepse kanë diversitet më të madh gjenetik.

“Në përgjithësi, këto rezultate mund të ndihmojnë pronarët e mundshëm, mbarështuesit, politikëbërësit, organet financuese dhe organizatat e mirëqenies të jenë më të informuar për të marrë vendime për të përmirësuar mirëqenien e qenve”, ka thënë McMillani. “Por më konkretisht, mendoj se kjo na ofron mundësi për të përmirësuar jetën e miqve tanë qen”.

Ekipi ka thënë se po identifikon grupe të qenve që kanë nevojë dëshpërimisht për vëmendje, në mënyrë që të mund të koncentrohen në këto raca dhe të kuptojnë më shumë problemet e tyre.