Qentë janë në forma dhe madhësi të ndryshme, nga të vegjël që i zë edhe çanta, në të mëdhenj.
Por, dihet se jetëgjatësia e qenve më të mëdhenj ka gjasa të jetë më e shkurtër se e atyre më të vegjël.
Shumë shpjegime të ndryshme janë dhënë për këtë, por shkencëtarët nga Universiteti i Adelaides mendojnë se më në fund kanë gjetur përgjigjen, shkroi DailyMail.
Pasi analizuan shkakun më të zakonshëm të ngordhen së 164 qenve të madhësive të ndryshme, ata gjetën se kafshët më të mëdha janë më të prekshëm ndaj kancerit.
“Kur analizuam të dhënat, zbuluam se qentë e mëdhenj kishin më shumë gjasa të ngordhnin nga kanceri në moshë të vogël krahasuar me qentë më të vegjël sipas madhësisë”, tha autori i studimit, Jack da Silva.
“Qentë e mëdhenj jo domosdo u moshuan më shpejt se ata të vegjël, por studimi tregoi se ndërsa pesha mesatare trupore rritej, njëjtë ndodhte edhe me gjasat për kancer".
Një qen i llojit “Yorkshire Terrier” që mund të bëhet deri në 3.17 kg, mund të jetojë deri në 16 vjet. Por, një “Mastiff” që peshon 113 kg, ka gjasa të jetojë mes 6 deri në 10 vjet.
Ekipi zbuloi se qentë e mëdhenj kanë më shumë gjasa të ngordhin nga kanceri në moshë të re.
Kjo sepse përgjatë kohës njerëzit kanë selektuar dhe kanë mbarështuar qentë që të jenë sa më të mëdhenj ashtu që të ruajnë pasuritë e tyre.
Shumë nga ato kafshë sot njihen si kafshë shtëpiake të famshme. Si rezultat, qentë e mbarështuar kanë evoluuar në madhësi ekstreme shumë më shpejt se që evoluimi natyror do ta lejonte.
Kjo do të thotë se mbrojtja e trupave të tyre ndaj kancerit nuk ka mundur të evoluojë në proporcion me madhësinë. Kështu që ata janë më të ndjeshëm ndaj sëmundjes.