Një familje në Poloni po jeton historinë e saj të veçantë.
Dominika Clarke, 37, lindi pesënjakë – dy djem dhe tre vajza, në Spitalin Universitar në Krakov të dielën, raportoi Associated Press.
Foshnjat u lindën para kohe me prerje cezariane, ndërsa Dominika ishte më pak se 30 javë shtatzënë, sipas raporteve.
Në një konferencë shtypi të martën, Dominika e përshkroi shtatzëninë e saj të fundit si një "mrekulli".
"Ne po planifikonim të kishim një fëmijë të tetë, por doli të kishte më shumë”, u tha Dominika gazetarëve të martën.
Edhe
Binjaket që lindën me pak minuta diferencë – por me baballarë të ndryshëm
Dominika dhe bashkëshorti i saj britanik, Vince, tani janë prindër krenarë të 12 fëmijëve, duke përfshirë dy grupe të tjera binjakësh.
Shtatë fëmijët e tjerë janë të moshës nga 10 muaj deri në 12 vjeç.
Fëmijët e tyre të sapolindur- Arianna Daisy, Elizabeth May, Evangeline Rose, Charles Patrick dhe Henry James janë ende në mbështetje të frymëmarrjes që prej lindjes.

Mjekët thanë se foshnjat të cilët peshonin midis 710 dhe 1,400 gram, aktualisht janë mirë.
Dominika është shprehur gjithashtu se po ndihej “shumë më mirë sesa që priste”.
"Nëse keni një sistem, një qasje të qetë dhe një qëndrim pozitiv, atëherë është e mundur të keni një jetë vërtet të lezetshme me një grup kaq të madh fëmijësh”, ka thënë ajo, raportoi AP-ja.
Edhe
Lindje nën tokë, nën bombardime: Të sjellësh në jetë një fëmijë në Ukrainë
Spitali ka thënë se shanset për të ngjizur pesënjakë janë një në 52 milionë.
"Si një matematikane, më pëlqejnë këto lloj statistikash”, u ka thënë Dominika gazetarëve.