Kuriozitet

Arrestohet nusja amerikane, dyshohet se hodhi kanabis në ushqimin e të ftuarve në dasmë

Arrestohet nusja amerikane, dyshohet se hodhi kanabis në ushqimin e të ftuarve në dasmë

Policia në Florida ka arrestuar të hënën një nuse dhe një person tjetër nën dyshimin se kishin shtuar kanabis në ushqimin që më vonë iu shërbye të ftuarve të dasmës.

Arrestimet erdhën rreth dy muaj pasi zyrtarët u thirrën në dasmë për të ndihmuar të ftuarit të cilët thanë se ndjeheshin sikur ishin droguar, raporton BBC.

Danya Svoboda dhe shërbyesi i ushqimit Joycelyn Bryan përballen me akuza për ngacmim, neglizhencë dhe shpërndarje të marijuanës. Zyrtarët i bënë arrestimet pas testimit të ushqimeve dhe pijeve nga ceremonia martesore.

Dasma u zhvillua më 19 shkurt në qytetin Longwood, në Floridan qendrore.

Të ftuarit ankoheshin për dhimbje stomaku dhe të vjella. Disa u transportuan në spital për trajtim.

Një i ftuar u tha oficerëve se "ndiente ndjesi shpimi gjilpërash, zemra e tij filloi të rrahte dhe ai kishte mendime të çmendura", sipas një deklarate të policisë.

Sipas zyrtarëve, Svoboda u pyet nga policia në vendngjarje nëse ajo kishte lejuar që droga të futej në ushqimin e mysafirëve mirëpo ajo e ka mohuar këtë.

Një e ftuar, Miranda Cady, tha se ishte dëshmitare e një anëtari të stafit të hotelierisë duke shtuar "një substancë të gjelbër" në një pjatë që më vonë do të përmbante vaj ulliri.

Cady gjithashtu pohoi se nusja pranoi se kishte shtuar kanabis në vajin e ullirit ndërsa dyshja ishin në pistën e kërcimit.

Shërbyesi i ushqimit dhe stafi i saj ishin larguar nga festa para se policia t'i merrte në pyetje në vendngjarje. Policia u largua pasi mblodhi enë qelqi dhe ushqim për t'u testuar, duke përfshirë luleshtrydhe të mbuluara me çokollatë, ëmbëlsira me puding dhe lasagna.

Zyrtarët thonë se buka dhe lazanja më vonë rezultuan pozitive për THC, një kimikat psikoaktiv në marihuanë. Tre të ftuar gjithashtu rezultuan pozitivë për drogën.

Kanabisi mjekësor është i ligjshëm në Florida, por jo edhe përdorimi rekreativ i drogës, ndryshe nga disa shtete të SHBA-së.