Një drejtoreshë në një shkollë të Floridës ka dhënë dorëheqje pasi është kryqëzuar nga prindërit për shfaqjen e fotove të statujës së Davidit, vepër e Michelangelos, nxënësve. Prindërit e kanë cilësuar si statujë ikonike pornografike që është shfaqur për nxënësit pa lajmërim paraprak. Muzeu i Firences ka reaguar duke ftuar prindërit dhe nxënësit që të shohin nga afër pastërtinë e artit italian dhe Rilindjes
Muzeu i Firences që mban në gjirin e saj kryeveprën e Rilindjes së Michelangelos, Davidin, të dielën ftoi prindërit dhe nxënësit nga një shkollë publike të Floridas për një vizitë, pas ankesave për një mësim që përfshinte statujën e që detyruan drejtoreshën të jepte dorëheqjen.
Kryetari i Komunës së Firences, Dario Nardella, gjithashtu postoi një ftesë për drejtoreshën për ta vizituar, në mënyrë që ai personalisht ta nderojë atë. Ngatërrimi i artit me pornografinë ishte “qesharak”, tha Nardella.
Bordi i Shkollës Klasike Tallahassee i bëri presion drejtoreshës Hope Carrasquilla, të jepte dorëheqjen javën e kaluar pasi një imazh i Davidit iu shfaq një klase arti të nxënësve në klasën e gjashtë. Shkolla ka një politikë që kërkon që prindërit të njoftohen paraprakisht për temat “polemike” që mësohen.
Përgjigja italiane theksoi se si perceptohen luftërat kulturore të SHBA-së shpesh në Evropë, ku pavarësisht nga një rritje e ndjenjave dhe qeverisjes së krahut të djathtë, Rilindja dhe kryeveprat e saj, madje edhe ato të zhveshura, janë përgjithësisht pa polemika. Faqja e parë e së dielës e botimit të përditshëm italian, “Corriere della Sera”, shfaqi një karikaturë nga satiristi i saj kryesor që përshkruante Davidin me organet e tij gjenitale të mbuluara nga një imazh i Uncle Sam dhe fjalës “Turp”.
Ankesat e prindërve
Carrasquilla beson se bordi e kishte vënë në shënjestër pasi tre prindër u ankuan për një mësim që përfshinte një foto të Davidit, një skulpturë mermeri lakuriq 5 metra e gjatë që daton nga viti 1504. Puna, që pasqyron lartësinë e Rilindjes italiane, përshkruan Davidin Biblik që do të luftojë Goliathin e armatosur vetëm me besimin e tij në Zot.
Carrasquilla ka thënë se dy prindër u ankuan sepse nuk ishin njoftuar paraprakisht se do të shfaqej një imazh nudo, ndërsa një i tretë e quajti statujën ikonike pornografike.
Carrasquilla tha në një intervistë telefonike të dielën se është “shumë e nderuar” nga ftesat në Itali dhe ajo mund të pranojë.
“Unë jam plotësisht e surprizuar”, tha Carasquilla. “Kam qenë në Firence më parë dhe e kam parë Davidin nga afër edhe personalisht, por do të doja të shkoja dhe të isha mysafire e kryetarit”.
“Pastërtia” e shtatores
Cecilie Hollberg, drejtoreshë e Galleria dell'Accademia, ku qëndron Davidi, shprehu habinë për polemikat.
“Të mendosh se Davidi mund të jetë pornografik do të thotë vërtet të mos kuptosh përmbajtjen e Biblës, të mos kuptosh kulturën perëndimore dhe të mos kuptosh artin e Rilindjes”, tha Hollberg në një intervistë telefonike.
Ajo ftoi drejtorin, bordin e shkollës, prindërit dhe nxënësit për të parë “pastërtinë” e statujës.
Tallahassee Classical është një shkollë publike e pavarur. Ndërsa financohet nga taksapaguesit ajo funksionon pothuajse tërësisht në mënyrë të pavarur nga distrikti shkollor lokal dhe mbikëqyret nga prindërit që kërkojnë alternativa ndaj kurrikulës së shkollës publike.
Rreth 400 nxënës nga kopshti deri në klasën e 12-të ndjekin institucionin trevjeçar, i cili tani ka drejtorin e tretë radhazi në detyrë. Ajo ndjek një kurrikulë të hartuar nga Kolegji Hillsdale, një shkollë konservatore e krishterë në Michigan, e konsultuar shpesh nga guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, për çështjet arsimore.
Barney Bishop, kryetar i bordit të shkollës së Tallahassee Classical, u ka thënë gazetarëve se ndërsa fotografia e statujës luajti një rol në rrëzimin e Carrasquillas, ajo nuk ishte faktori i vetëm. Ai nuk ka pranuar të japë detaje, ndërsa ka mbrojtur vendimin.
“Prindërit kanë të drejtë të dinë sa herë që fëmijës së tyre i mësohet një temë dhe i shfaqet ndonjë foto e diskutueshme”, tha Bishopi në një intervistë për revistën online “Slate”.
Disa prindër dhe mësues planifikojnë të protestojnë kundër largimit të Carrasquillas në mbledhjen e bordit të shkollës të së hënës mbrëma, por Carrasquilla tha se nuk është e sigurt se do të kthehej në punë edhe nëse i ofrohej.
“Ka pasur polemika të tilla dhe trazira të tilla”, tha ajo. “Do të më duhej vërtet të merrja në konsideratë, ‘A është kjo me të vërtetë më e mira?’”.
“Kryqëzata morale”
Marla Stone, drejtuese e studimeve të shkencave humane në Akademinë Amerikane në Romë, tha se incidenti në Florida ishte një tjetër episod në përshkallëzimin e luftërave të kulturës amerikane dhe vuri në pikëpyetje se si statuja mund të konsiderohej aq e diskutueshme sa të garantonte një paralajmërim paraprak.
“Ajo që kemi këtu është një kryqëzatë morale kundër trupit, seksualitetit dhe shprehjes gjinore dhe një injorancë e historisë”, tha Stone në një email. “Incidenti ka të bëjë me frikën, frikën nga bukuria, nga ndryshimi dhe nga mundësitë e ngulitura në art”.
Michelangelo Buonarroti skaliti Davidin midis viteve 1501-1504 pasi u porosit nga Katedralja e Firences. Statuja është pjesë e Accademia dhe ndihmon në tërheqjen e 1.7 milionë vizitorëve çdo vit në muze.
“Është jashtëzakonisht e kërkuar nga amerikanët që duan të bëjnë selfie dhe të shijojnë bukurinë e kësaj statuje”, tha Hollberg.
Muzeu, si shumë në Evropë, është falas për grupet studentore. Nuk kishte asnjë tregues se ndonjë udhëtim do të subvencionohej nga qyteti ose muzeu.
Përktheu: Forca Jashari