Një rast i jashtëzakonshëm. Kështu mund të cilësohet ai i Angelina Friedmanit, e cila është prekur për herë të dytë nga COVID-19 dhe ka arritur ta tejkalojë.
Amerikania 102-vjeçarja i mbijetoi gripit spanjoll në vitin 1918 dhe po ashtu mposhti kancerin.
Infektimi i parë i Friedman me koronavirus ndodhi në mars teksa ajo ishte në spital për një procedurë të vogël mjekësore. Në atë kohë, e moshuara kaloi një javë në spital para se të kthehej për t’u izoluar në dhomën e saj dhe për të dalë negative më 20 prill, njofton CNN.
E në fund të tetorit, e bija Joanne Merola mori një telefonatë nga shtëpia e të moshuarve, ku iu tha se e ëma kishte dalë përsëri pozitive në COVID-19.
“Ajo kishte simptoma, ethe, kollë të thatë dhe u izolua”, tha Merola, teksa shtoi se disa ditë më vonë, më 17 nëntor mori lajmin e pabesueshëm se e ëma kishte rezultuar negative në test.
Një test i dytë konfirmoi rezultatin negativ dhe Friedman u zhvendos nga izolimi në dhomën e saj. Ajo ka humbur pjesën më të madhe të dëgjimit dhe shikimi i saj është i dobët, por 102-vjeçarja ka arsye për të qenë e lumtur, përcjell a2news të enjten.