LAJMET E MBRËMJES

Zahir Pajaziti e bashkëluftëtarët e tij përkujtohen si frymëzim për UÇK-në

Në 26-vjetorin e vrasjes, Zahir Pajaziti e dy bashkëluftëtarët e tij - Edmond Hoxha e Hakif Zejnullahut – u kujtuan nga udhëheqës shtetërorë dhe liderë partiakë. Vepra e tyre gjatë luftës për çlirim është vlerësuar lart, ndërsa ata u kualifikuan si frymëzim për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës

Udhëheqës shtetërorë, përfaqësues institucionalë dhe liderë partiakë i kujtuan të martën dëshmorët Zahir Pajziti, Edmond Hoxha e Hakif Zejnullahu në 26-vjetorin e rënies së tyre.

Presidentja Vjosa Osmani i kualifikoi Pajazitin dhe shokët e tij si frymëzim për të gjithë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Kjo ditë është një prej ditëve më të lavdishme të historisë së UÇK-së dhe të gjithë Republikës së Kosovës, republikë e cila u ndërtua mbi themelet e forta dhe ato mbesin të forta pikërisht për shkak se u ndërtuan mbi gjakun e dëshmorëve dhe heronjve tanë”, u shpreh Osmani.

Në homazhet e bëra para shtatores së Pajazitit në Prishtinë, kryeministri Albin Kurti i quajti tre të rënët pararendës të UÇK-së.

“Duke kujtuar e përkujtuar komandantin Zahir Pajaziti dhe dëshmorë të tjerë të kombit, në të njëjtën kohë ne tregojmë se sa i madh ishte çmimi për lirinë tonë, për shtetin tonë, për pavarësinë tonë dhe se sa i vlefshëm për të tashmen dhe të ardhmen është ky kujtim e ky përkujtim që bëhet si nga institucionet, po ashtu edhe nga qytetarët tanë”, ka thënë Kurti.

Bashkë me Osmanin e Kurti, për homazhe ishin edhe anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar e të Presidencës.

Krahas tyre, homazhe për dëshmorët bënë edhe deputetë dhe zyrtarë të Partisë Demokratike. Ata e vlerësuan Pajazitin si simbol të pushkës së parë të lirisë.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se sakrifica e Pajazitit dhe e bashkëluftëtarëve të tij ka trasuar rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

“Në 26-vjetorin e rënies, kujtojmë dhe nderojmë heroizmin e trimave të UÇK-së, komandantin Zahir Pajaziti dhe bashkëluftëtarët e tij, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha. Sakrifica e tyre trasoi rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Zahiri, Edmondi dhe Hakifi do të jenë përherë pjesë e kujtesës sonë historike!”, ka shkruar Haradinaj të martën në Facebook.

Zahir Pajaziti bashkë me bashkëluftëtarët Edmond Hoxha e Hakiz Zejnullahu u vranë më 31 janar të vitit 1997 nga forcat e armatosura serbe në fshatin Pestovë të Vushtrrisë.