LAJMET E MBRËMJES

Vitia zotohet se sivjet rifillojnë punimet në objektin e ri të Spitalit Rajonal të Ferizajt

Qytetarët e regjionit të Ferizajt po vazhdojnë të përballen me shërbime të kufizuara shëndetësore, derisa projekti i objektit të ri të spitalit prej disa vitesh po zvarriten. Gjatë së enjtes, ministri Vitia qëndroi në Komunën e Ferizajt, ku u zotua se së shpejti do të rifillojnë punimet, të cilat ishin ndërprerë shkaku i disa kontesteve mes Ministrisë dhe operatorit

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, ka premtuar se punimet në objektin e ri të Spitalit Rajonal të Ferizajt, punë që po zvarritet tash e saj vjet, do të rinisin me t’u përmirësuar kushtet atmosferike.

Ai u zotua për këtë të enjten, në vizitën që i bëri Komunës së Ferizajt.

Projekti 9-milionësh, i lënë në gjysmë shkaku i disa kontesteve financiare ndërmjet një operatori dhe Ministrisë së Shëndetësisë, ishte tema kryesore, sipas ministrit. Vitia premtoi investime edhe për objektin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare.

“Kjo është arsyeja pse sot jemi këtu, andaj tani menjëherë kanë filluar disa procedura, sepse për shkak të reshjeve të kohës, spitali ishte nën ujë dhe kemi filluar si ministri menjëherë ta zbrazim ujin, në anën tjetër ekipet teknike tashmë i kanë rregulluar të gjitha gjërat, është në kornizën buxhetore të këtij viti dhe sa më shpejt që është e mundur do të rifillojnë punimet në ndërtesën aktuale”, ka thënë Vitia.

Vitia ka njoftuar se Ministria ka lidhur marrëveshje me Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe është bërë një raport, i cili do të shërbejë si bazë për të vazhduar punimet.

E kryetari i Komunës së Ferizajt Agim Aliu, ka thënë se objekti i spitalit është zvarritur ndër vite padrejtësisht. Sipas tij, vazhdimi i punimeve është i domosdoshëm për shërbime të të gjithë qytetarëve të komunave të rajonit të Ferizajt dhe më gjerë.

“Lajm i mirë është se sot e kemi ministrin dhe e kemi marrëveshjen se dy nga çështjet jetike për Ferizajn, si ndërtimi i Spitalit Rajonal dhe ndërtimi i QKMF-së së re jemi pajtuar që t’i përmbyllim si dy procese. Sigurisht se do të sqarohen çështjet edhe nga ekipet tona, por edhe dakordimi dhe prezenca e ministrit Vitia tregon se këto projekte do të mbyllen”, ka thënë Aliu.

Ministri Vitia dhe kryetari Aliu, gjatë vizitës në Spitalin e Ferizajt dhe në QKMF janë zotuar se do të ketë edhe rritje të stafit mjekësor, derisa numri i mjekëve dhe i infermierëve është i kufizuar.