Një familje nga Prishtina, janë përfshirë në një aksident në rrugën Bllacë-Shkup, ku si pasojë automjeti në të cilën ndodheshin ka rënë në lumin Lepenc, shoferi është nxjerrë i gjallë nga lumi ndërsa 3 familjarët e tjerë janë duke u kërkuar. Në gjetjen e tyre janë angazhuar, përpos institucioneve Maqedonase, edhe njësite nga FSK dhe Policia e Kosovës.
Gjatë tërë ditës së diel ka vazhduar kërkimi për gjetjen e 3 anëtarëve të familjes Pacolli nga Prishtina, të cilët pas një aksidenti të shtunën, në aksin rrugor Bllacë-Shkup, ranë me veturë në lumin Lepenc.
Shoferi i veturës është nxjerrë i gjallë nga lumi.
Vetura e aksidentuar është gjetur rreth 200 metra larg vendit ku ka ndodhur aksidenti.
Aksidenti ka ndodhur kur një veturë Volswagen me targa të Shkupit, e cila ishte në të njëjtin drejtim me makinën BMW nga Kosova, filloi tejkalimin në kolonë dhe derisa tentoi të futej përsëri në rresht, goditi dhe e hodhi nga rruga veturën me pasagjerët nga Kosova.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës me anë të një postimi në Facebook ka njoftuar se në kërkim-shpëtim janë angazhuar edhe njësi të FSK-së.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes procedurave të përshpejtuara ka lehtësuar dhe koordinuar kalimin e njësiteve të specializuara të kërkim-shpëtimit nga Kosova për në territorin e RMV-së, pas kërkesës së autoriteteve maqedonase. Krahas ekipeve të specializuara të Maqedonisë së Veriut, që në orët e hershme të mëngjesit pjesë e operacionit të kërkim-shpëtimit janë njësiti relevant nga FSK dhe ai nga Policia e Kosovës”, ka thënë Ministria.
E, ministri i Punëve të Brendshme te Kosovës, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur numrin e të angazhuarve nga institucionet e Kosovës, për kërkim shpëtim.
“Aktualisht ndodhen 30 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe vullnetarë profesionistë të kërkim-shpëtimit, të cilët në koordinim dhe bashkëveprim me ekipet profesionale të Maqedonisë së Veriut janë duke e bërë maksimumin e tyre në lokalizimin dhe nxjerrjen e personave nga lumi”, ka thënë Sveçla.
Një 64-vjeçar nga Shkupi është arrestuar të dielën nën dyshimin se është përfshirë në këtë aksident.
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se i dyshuari do të dërgohet në mbajtje derisa të përfundojnë hetimet për të zbardhur arsyet e plota të aksidentit.
“Prokurori publik dhe ekipi nga Shkup kanë këqyrur vendin e ngjarjes dhe me urdhër të prokurorit publik drejtuesi i mjetit ‘Volkswagen Touran’ B.B hiqet liria dhe ndalohet për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e MPB-së maqedonase.