Është duke vazhduar kërkimi për tre personat e zhdukur në lumin Lepenc afër fshatit Orman të Shkupit.
Anëtarët e Shoqatës së Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim janë nisur drejt Maqedonisë së Veriut për të kërkuar tre personat e zhdukur pasi një veturë me targa të Kosovës ka rënë në lumë.
Sipas njoftimit të kësaj shoqate, bëhet fjalë për tre anëtarë të familjes Pacolli.
“Anëtarët e Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim janë nisur drejt Maqedonisë Veriore për kërkimin e familjes Pacollit të rënë në lumin Lepenc ditën e djeshme”, thuhet në njoftim.
Aksioni për kërkimin e tyre, i nisur të shtunën, është ndërprerë përkohësisht për shkak të kushteve të vështira dhe dukshmërisë së ulët në terren, për të vazhduar të dielën nga ora 06:00.
Në ndihmë për gjetjen e viktimave në Maqedoni të Veriut, të dielën kanë dalë edhe ekipet e Forcave të Sigurisë së Kosovës.
Për rastin ka reaguar edhe ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, sipas të cilit, tre viktimat kanë humbur jetën.
“E përjetoj me dhimbje tragjedinë e familjes Pacolli, këtë mbrëmje në Maqedoni ku Naim, Merita dhe Ermal Pacolli, humben jetë. Zoti i mëshiroftë të ndjeret e Shkëlqimit i uroi shërim të shpejtë. Lutem për këtë familje”, ka shkruar ai në Facebook.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, aksidenti ka ndodhur rreth orës 15:00.
“Sot rreth orës 15:00 është raportuar se në aksin rrugor Shkup-GP ‘Bllacë’ ka ndodhur një aksident trafiku ku është përfshirë një veturë Volkswagen me targa të Shkupit, e drejtuar nga B.B. nga Shkupi dhe një veturë BMW me targa të Kosovës, e drejtuar nga H.P. nga Kosova, e cila pas aksidentit ra në lumin Lepenc. Në BMW përveç shoferit ndodheshin edhe tre pasagjerë. “Një person është nxjerrë nga lumi dhe është transferuar në spitalin ‘8 Shtatori’, ndërsa për tre të tjerët janë në vazhdim e sipër”, shton policia, thuhet në njoftimin e MPB-së, raporton Alsat.